Një perlë e Politanos në minutën e 5-të shtesë i dha fitoren 2-1 me përmbysje Napolit në “San Paolo” përballë Udineses, me skuadrën e Gattusos që i rimerr vendin e gjashtë Milanit, që një ditë më parë shkatërroi 5-2 Bolognan. Një humbje që “djeg” shumë për friulanët, të cilët vazhdojnë të jenë të rrezikuar për të rënë në Serinë B.
Rikthehet titullar në formacionin napolitan futbollisti i Kombëtares Shqiptare Elseid Hysaj, që mbuloi pozicionin e tij natyral në krahun e djathtë të mbrojtjes.
Miqtë nga veriu i Italisë i befasuan vendësit me golin e De Paul në minutën e 22-të. Reagimi i Napolit ishte i shpejtë dhe në minutën e 31-të Milik ktheu baraspeshën në rezultat.
Për shumë minuta Udinese luajti e mirorganizuar në mbrojtje, por atëherë kur u mendua se do të merrte pikën, Politano befasoi portierin Musso me një goditje të fortë nga jashtë zonës, që i dha fitoren Napolit.

Sampdoria zhvillon një pjesë të dytë të jashtëzakonshme në “Ennio Tardini” të Parmës, ku përbysi disavantazhin 2-0 të pjesës parë për të fituar në fund me rezultatin 3-2, që praktikisht i siguron qëndrimin në Serinë A. Një ndeshje me dy fytyra për ekipin gjenovez, që u ndëshkua që në minutën e 18-të nga Gervinho, ndërsa në të 40-tën Bereszynski realizoi autogol, me Sampdorian që shkoi nën dy gola në dhomat e zhveshjes.
Në pjesën e dytë miqtë ndryshuan marsh dhe e gjetën plot tri herë rrjetën me Schabot, Quagliarellan dhe Bonazzolin.

Genoa fitoi 2-1 derbin e mbijetesës me Leccen, duke u shkëputur 4 pikë nga skuadra puljeze, që me renditjen aktuale bie në Serinë B. Po 2-1 triumfoi Brescia me SPAL-in, ndërsa Fiorentina iu imponua 2-0 Torinos.