Sulmuesi i Kosovës, Vedat Muriqi pas humbjes prej 3 me 0 nga Ukraina ka thënë që shpreson se Kosova të mos bëhet si San Marino, që çdokush ta mposhtë.
Muriqi sot debutoi në fanellën e Kosovës, dhe për këtë është shprehur shumë i lumtur, transmeton Koha.net.
“U ndjeva shumë mirë për paraqitjen time të parë në fanellën e Kosovës, por ndjej keqardhje për këtë rezultat. Shpresojmë se nuk bëhemi ekip si San Marino, që kur të luajnë ekipet ndaj nesh të kenë fitore të sigurt”, ka thënë Muriqi.
Muriqi më tutje ka thënë se nuk kishte krosime të mjaftueshme nga krahët, por një gjë e tillë ishte e vështirë të bëhej sipas tij. Ai ka lavdëruar bashkëlojtarët e tij Bernard Berisha e Milot Rashica.
“Nuk kishte shumë krosime nga krahët, por kjo ishte e vështirë të bëhej. Berisha e Rashica janë lojtarë shumë të talentuar, edhe me të tjerët në sulm më ndihmuan, ndihem rehat duke luajtur me ta”, është shprehur ai.