Pas publikimit të formacionit të vitit në Champions League nga ana e UEFA-s, edhe revista e famshme sportive franceze “France Football”, e cila është përcaktuese edhe për trofeun e “Topit të Artë”, ka bërë përzgjedhjen e saj. Në formacion janë 4 juventinë, 4 madrilenë, por ajo që të bie në sy është një mungesë e paimagjinueshme që do të shkaktojë padiskutim shumë polemika.

“France Football” përjashton Lionel Messin nga formacioni i më të mirëve të Championsit të sapopërfunduar, me triumfin e Realit ndaj Juventusit 4-1 në finalen e Kardifit.

Për “pleshtin”, edhe pse ishte autor i 12 golave në kompeticionin më të rëndësishëm europian për klube, i dyti pas Cristiano Ronaldos, revista franceze rezervon vetëm një vend në pankinë, nga ku i duhet të shohë bashkëkombasin Dybala, shokun e skuadrës Neymar dhe kundërshtarin e përjetshëm CR7.

Në këtë vendim të prestigjiozes franceze duket se ka ndikuar ecuria e Messit me Barcelonën pas fazës së grupeve, ose më saktë në përballjet me eliminim direkt. Në fitoren historike 6-1 të Barçës ndaj PSG-së ishte Neymar ai që udhëhoqi formacionin “blaugrana”, ndërsa ndaj Juventusit, katalanasit nuk e gjetën asnjëherë rrugën e rrjetës. Kjo bëri që Messi të përjashtohet nga formacioni special.

Përveç kësaj mungese, asgjë tjetër nuk bën habi në skuadrën ideale, e cila ka në përbërje lojtarë nga Reali e Juventusi, dy skuadrat finaliste të Kardifit. Nga “Zonja e vjetër” janë përzgjedhur Buffon, Dani Alves, Bonucci dhe Dybala, ndërsa nga “Los Blancos” janë Sergio Ramos, Marcelo, Modriç dhe Cristiano Ronaldo. Për të kompletuar formacionin ideal janë edhe Fabinho dhe Lemar, dy mesfushorë nga Monaco.

Por cilët janë lojtarët e lënë në pankinë sipas revistës franceze? Messit i bëjnë shoqëri Mbappe, Ter Stegen, Chiellini, Khedira, Mandzukiç dhe Benzema. Trajneri i skuadrës ideale? Nuk kishte si të ndodhte ndryshe, veçse të përzgjidhej Zinedine Zidane, trajneri që ka fituar dy herë rresht Championsin me “Los Blancos”.

/ Top Channel

Artikulli paraprakNjë vit Inter “kinez”, shumë miliona e pak rezultate
Artikulli tjetërInter gati për “bombën” e merkatos verore