Bastian Schweinsteiger tanimë zyrtarisht mund të quhet viktima e radhës e teknikut Jose Mourinho. Ky i fundit nuk ka reaguar aspak mirë pas postimit të mesfushorit gjerman në rrjetet sociale, ku njoftonte se Manchester United do të jetë klubi i tij i fundit në Evropë, pra se nuk ka qëllim të largohet.

Kampioni i botës aktualisht fiton 200 mijë paundë në javë në “Old Trafford” (ka edhe një vit kontratë) dhe United synon ta shesë atë. Kështu, Mourinho sot foli shumë hapur, duke e paralajmëruar 31-vjeçarin se më parë do të aktivizojë një nga të rinjtë e akademisë sesa atë.

“Unë kam 23 lojtarë në skuadër dhe në parim asnjë nuk do të largohet, sepse nuk dua që ndonjëri të largohet. Askush nuk do të vijë dhe 23 lojtarë janë më se të mjaftueshëm. Nëse kemi ndonjë problem apo mundësi, kam disa lojtarë të rinj në akademi, të cilët do të jem shumë i lumtur t’i aktivizoj”, – u shpreh tekniku.

I pyetur nëse Schweinsteiger mund të luajë sërish për Unitedin, Mourinho tha:

“Mendoj se kjo është shumë e vështirë të ndodhë. Nuk po them se është e pamundur. Po them se është shumë e vështirë, sepse ne kemi marrë një vendim për lojtarët e mesfushës, Pogba, Herrera, Schneiderlin, Fellaini dhe Carrick. Ne kemi pesë lojtarë për dy pozicione, kështu që është shumë e vështirë që të shtohen shanset.

” Më pas, ai shtoi: “Futbolli është i karakterizuar nga vendimet. E kam bërë këtë gjatë gjithë karrierës sime. Jo vetëm unë, të gjithë e bëjnë, por disa lojtarë reagojnë në një mënyrë ndryshe. Për të qenë i sinqertë, Bastiani nuk po flet shumë. Ai dha deklaratën e tij të fundit, që është krejtësisht e lirë për t’u bërë. Ajo është një mënyrë objektive.”

Artikulli paraprakZyrtare: Petkovic publikon listën, shuhën shpresat e Kosovës [FOTO]
Artikulli tjetërKarriera e Lenjanit në udhëkryq!