Mourinho nuk harron shpejt, madje e përsërit vazhdimisht. Kjo sepse është më shumë sesa një kujtim i bukur, që ka lënë gjurmë të pashlyeshme për të, që nuk mund t’i fshijë as kalimi i kohës.

“Kujtimi më i bukur që kam nga Championsi? Është fitorja e Interit në finalen e Madridit”, kështu shprehet “Special One” teksa hap “kasetën” e kujtimeve në ditën kur pritet të nisë sezoni i ri i Championsit.

Në krye të listës së tij nuk është Porto, edhe pse me atë ekip të vendlindjes së tij ka ngritur trofeun e parë më të rëndësishëm të Europës.

“Interi i Madridit është kujtimi im i preferuar, sepse Porto kishte një skuadër të rinjsh. Kishte përpara mjaftueshëm kohë për të arritur të tjera suksese. Nëse nuk do të kishim fituar atë vit, me shumë mundësi nuk do isha larguar nga klubi, por do të qëndroja më gjatë. Megjithatë, ajo skuadër ishte ende e destinuar të fitonte, sepse kishte një moshë mesatare tepër të re”, shprehet Mourinho.

“Interi, nga ana tjetër, ishte një skuadër e maturuar, kishte një grup lojtarësh që e dëshironin më shumë se kurrë suksesin, jo vetëm për vetveten, por edhe për klubin”, kujton më tej trajneri portugez.

“Mes tyre pati shumë irritim dhe ajo finale ishte si mundësia e fundit për futbollistë si Materazzi, Toldo, Zanetti, Cordoba dhe Cambiasso. Ishte si të thuash, o sot, o kurrë. Por rezultoi një udhëtim i jashtëzakonshëm dhe me një fund të lumtur. Presidenti Moratti kishte qenë në krye të Interit prej vitesh dhe nuk kishte fituar asnjëherë. Ishte fantastike edhe për tifozët, sepse Interi nuk dilte kampion Europe prej thuajse 50 vitesh. Ishte një ëndërr për të gjithë, që në fund u bë realitet. Sigurisht nuk ishte për mua një ëndërr, sepse e kisha fituar një trofe të tillë, por për ata të gjithë po. Ishte mundësia e fundit për të realizuar ëndrrën e tyre”.

 

/ Top Channel

Artikulli paraprakEranio: Absurde të vendosësh në krye të Milanit ish-interistë
Artikulli tjetërFormacionet zyrtare: Paris SG-Arsenal