Për Milanin nis java anti-Juve. Të Premten në Doha të Katarit, kuqezinjtë do të sfidojnë bardhezinjtë në finalen e Superkupës së Italisë për trofeun e parë sezonal. Ka optimizim te Milani për një sukses të mundshëm ndaj Juventusit që ka dominuar futbollin italian gjatë këtyre viteve të fundit por Vincenzo Montella numri 1 i stolit kuqezi e ka të qartë se për të mposhtur skuadrën e Allegrit, futbollistët e tij duhet të zhvillojnë ndeshjen e jetës.

“Bardhezinjtë janë një skuadër thuajse e pamundur për tu mposhtur. Dëshiroj që futbollistët e mi të sillen në mënyrën e duhur në fushë. Dua një Milan në 100% të mundësive të tij, madje edhe më shumë.Duhet të bëjmë ndeshjen e jetës pasi vetëm kështu mund të pretendojmë të fitojmë ndaj Juventusit. Higuain nuk është rreziku i vetëm i bardhezinjëve, ata kanë dhe Dybalan, që është njëkohësisht edhe futbollisti më i paparishikueshëm te Juvja. Për mua Dybala është një nga lojtarët më të mirë në Botë për momentin sepse ka patur një rritje të jashtëzakonshme dhe ka arritur të fitojë mentalitetin që është pjesë e një skuadre të mëdha”.

Me mbrritjen e kinezëve te MIlani, Superkupa e Italisë mund të jetë trofeu i fundit që mund të fitojnë kuqezinjtë me Silivio Berlusconin si president. Kjo sipas Montellës është një arsye më shumë që skuadra e tij të japë maksimumin për të fituar edhe për presidentin legjendar.

” Do të ishte një histori e bukur për të, për ne, por edhe për mua pasi Superkupa është një trofe të cilin ende nuk e kam fituar”. /SS/.

Artikulli paraprak‘Plas’ te Reali, Ramos sulmon James Rodriguez
Artikulli tjetërNBA, San Antonio Spurs tërheq fanelën e Tim Duncan