Milani po fluturon në kampionat, kjo edhe për meritë të Mbaje Niangut, i cili është bërë i pazëvendësueshëm për lojën e Vinçenco Montelës. Trajneri kuqezi, në vigjilje të ndeshjes kundër Juventusit, ka “graduar” francezin për të cilin tha: “Përpara se të jepja një gjykim për të, doja ta njihja menjëherë sapo mora drejtimin e Milan.

Bëmat e tij kanë bërë më shumë zhurmë se ato të lojtarëve të tjerë. Niang është një lojtar që mund të përmirësohet akoma shumë dhe po punon për t’u bërë një kampion i madh. Ai ka cilësi të rëndësishme, mund të bëhet lideri i Milanit, mirëpo pres nga ai që të shënojë më shumë gola”, tha fillimisht Montela.

Më tej, ai u përqendrua te ndeshja përballë Juventusit: “Duhet të luajmë sfidën tonë. Çdo skuadër ka karakteristika të ndryshme, por kundër Juventusit nuk do të na mungojë dëshira për të bërë një paraqitje të mirë. Futbolli i kohëve moderne është ndryshe, pasi nuk mjafton të kesh vetëm një organikë më të mirë teknikisht për të fituar ndeshjet, por duhet që të sakrifikosh dhe të japësh gjithmonë maksimumin në fushë.

Vendi i dytë në renditje? Nuk mendoj për klasifikimin, pasi kurrë nuk fokusohem tek objektivat afatgjatë. E rëndësishme është të punosh mirë dhe gjithmonë të kërkosh të përmirësohesh, pikërisht këtë po bën skuadra dhe jam shumë i lumtur. Sezonet e fundit nuk kanë qenë pozitive dhe grupi po jep maksimumin për të ndërtuar diçka të rëndësishme.

Donaruma? Po tregon se ka potencial për t’u bërë një kampion i madh në të ardhmen dhe është shumë i lidhur me Milanin. Jam i bindur që do qëndrojë shumë vite në Milano. Lokateli? Kundër Kievos tregoi edhe një herë tjetër se mund të mbështetem tek ai”.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here