Ka përfunduar me sukses operacioni në Zagreb i 13-vjeçares shqiptare Diana, e cila vuante nga skolioza. Pas apelit për ndihmë që u bë në emisionin “Shqiptarët për shqiptarët” në News 24, ishin të shumtë ata që kërkonin të ndihmonin vajzën nga Lezha. Pranë saj, në këto ditë të rëndësishme për shëndetin, ka qenë edhe bota e futbollit. Shqiptarët që luajnë në Zagreb, si Amir Rrahmani, Eros Grezda dhe të tjerë, kanë ndihmuar Dianën dhe i kanë qëndruar afër duke i dhënë mbështetje që gjithçka të shkonte me sukses.

MODRIÇ– Luka Modriç, futbollisti i Real Madridit dhe futbollist i kombëtares kroate i ka dedikuar një videomesazh Dianës, 13- vjeçares me skoliozë. Pas apelit për ndihmë në emisionin “Shqiptarët për shqiptarët” në “News24”, ajo udhëtoi drejt Zagrebit për t’iu nënshtruar një operacioni. Mesazhet për Dianën, por edhe ndihma nga qytetarët shqiptarë, dhe jo vetëm, ka qenë e madhe. Mesfushori i Realit, një nga mesfushorët më të mirë në botë dhe shok ekipi me Kristiano Ronaldon, thotë në video: “Përshëndetje Diana. Mora lajmin se operacioni u krye me shumë sukses. Ke përkrahjen dhe mbështetjen tonë. Të përshëndes nga Madridi dhe të uroj shërim sa më të shpejtë”. Në emisionin e djeshëm foli gjithashtu mjeku që kreu operacionin e Dianës. “Ishte ndërhyrje e vështirë, por ia dolëm me sukses. Diana mund të ngrihet nga shtrati për 7 ditë, ndërkohë që për 3 muaj do të ecë si gjithë të tjerët”, tha mjeku. Pas operacionit, atë e takoi edhe kryetari i Bashkisë së Zagrebit, i cili i dhuroi një telefon.

/Panorama Sport

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here