Afrimet e lojtarëve të huaj në kampionatin kinez, kanë vënë në lëvizje federatën e futbollit e cila është vënë në mbrojtje të futbollistëve vendas. Duket se milionat e shpenzuara pafund nuk kanë vetëm të mira, pasi po kushtëzojnë aktivizimin e lojtarëve të dalë nga akademitë, por qoftë edhe ata të afirmuar.
Një rregull mjaft interesant që pritet të futet në fuqi ka të bëjë me vlerën e golave të shënuar nga futbollistët kinezë dhe ata të shënuar nga futbollistët e huaj. Ideja që po diskutohet për t’u miratur ka të bëjë me rastin nëse në fund të kampionatit dy ekipe në renditje do të jenë me pikë të barabarta. Duke qënë se në një rast të tillë shikohet golavarazhi i përgjithshëm i secilës skuadër, atëherë golat e realizuar nga futbollistët vendas do të vlenin dyfishin e atyre të shënuar nga të huajt.
Pra e thënë më thjesht, kampioni i Kinës mund të vendoset nga golat e shënuar nga lojtarët e dalë nga akademitë e klubeve kineze dhe jo nga milionat që paguhen për futbollistët e huaj.
Nuk dihet nëse kjo do t’i penalizojë disi investitorët që kanë shpenzuar shifra të çmendura për të firmosur me lojtarë me peshë në kampionatet Europiane, por diçka ka lëvizur në mbrojtjen e futbollistëve vendas.