Milani është gati që të ofrojë për sulmuesin Pier Emeric Aubameyang një pagë të pazakontë prej 7,5 milionësh eurosh për sezon. “Gazeta delo Sport” vinte në dukje, dje, se Milani ka një nevojë dëshpëruese për një qendërsulmues të ri, pasi Carlos Bacca nuk i përmbushi shpresat e trajnerit Vinçenco Montela. Te Borussia e Dortmundit nuk presin ndonjë ofertë më të vogël sesa 100 milionë euro për yllin e tyre që, deri tani, ka qenë në “listën e dëshirave” të Realit të Madridit, Barcelonës dhe Man Utd. Kohët e fundit, mediumet francezë publikuan lajmin se në kërkim të këtij futbollisti të përfaqësueses së Gabonit është vënë edhe PSG.

Sidoqoftë, më shumë shanse ka Milani, pasi këtë të fundit e morën në pronësi kinezët që kanë premtuar se do të investojnë para të mëdha, me synimin që “rosonerët” të kthehen në rrugën e lavdisë së dikurshme, kështu që një ofertë e tillë bombastike nuk duhet të habisë ndokënd.

Drejtori i Borusias, Hans Joachim, ka thënë, para pak kohësh, se, nëse Aubameyang do të dojë që të largohet, ky klub gjerman nuk do të krijojë ndonjë problem, por se me vullnet të mirë ata do të ulën që të zhvillojnë bisedime. Megjithatë, ai tha se sulmuesi gabonez nuk ka dëshirë që të largohet nga Borussia, me të cilën Aubameyang ka shënuar, gjatë këtij sezoni, 27 gola në Bundesligë, ndërsa është lojtari më i mirë i saj.

Artikulli paraprakRritet lista e të lënduarve te Manchester United
Artikulli tjetër48 orë paraburgim per Liridon Lecin arrest!!!!