E pabesueshme ta mendoje disa javë më parë, por për momentin është e vërtetë: Milan-i duket se funksionon mirë pa Leonardo Bonucci-n. Shiriti i kapitenit, presioni i ambientit të ri kanë ndikuar në uljen e rendimentit të ish-mbrojtësit të Juventus-it. Të mbetur me 10 lojtarë për pjesën dërrmuese të ndeshjes ndaj Genoa-s (0-0) dhe pa të gjatë gjithë transfertës së fituar 4-1 ndaj Chievo-s, kuqezinjtë janë shfaqur më të qartë, kompaktë dhe të përgjegjshëm.

Por Vincenzo Montella në fund të ndeshjes nuk ka dashur të ndjekë këtë linjë mendimi: “Luajmë më mirë pa Bonucci-n? Shpejt ta thuash këtë. E vërteta është se skuadra është duke u përmirësuar që prej disa ndeshjesh, edhe me të në fushë. Dhe me sa duket ndonjë meritë e ka edhe trajneri…”

Trajneri i Milan-it vijoi të mbrojë kapitenin e tij: “Mund ta kritikojmë Bonucci-n për disa paraqitje, por nëse do ta analizojmë si lojtar duhet të bëjmë të gjithë një punë tjetër”.

Edhe pse është herët të thuhet, skuadra ka luajtur më mirë dhe ka fituar me kapitenin e saj në tribunë. Më me këmbë në tokë është shfaqur edhe Romagnoli, i cili në qendër të mbrojtjes ka bërë më mirë se sa në qendrën e majtë: “Nuk është e vërtetë që pa Bonucci-n luajmë më mirë – ka thënë mbrojtësi i Milan-it – secili prej nesh ka përgjegjësitë e tij dhe në këto orë kanë dalë gjëra të pavërteta”.

Vincenzo Montella për momentin e ka shpëtuar veten. Në sfidën kundër Juventus-it do ta udhëheqë ai Milan-in, dhe në rast humbje, do të shihet më pas se si do të mund t’ia dalë të rezistojë në stolin e përvëlues të Djallit. “Shpresoj që Juventus-i të na nënvlerësojë, por kam marrë përgjigje të bukura nga skuadra. Tani dua të shikoj këtë sjellje edhe në San Siro kundër Zonjës së Vjetër”.

Raporti: Telesport

Artikulli paraprakDramë në ‘Red Bull Arena’, Bayern pas penalltive kaloi në raundin e tretë të DFB Cup
Artikulli tjetërRekordi i kartonit të kuq vendoset në Argjentinë! Ndëshkohet vetëm pas tetë sekondave lojë [VIDEO]