Milan shpërdoron mundësinë për të fituar dhe për të vënë nën presion Interin në krye, pasi nuk shkoi përtej një barazimi 1-1 me Udinesen në “San Siro”, teksa sërish iu fal një penalltie të akorduar në sekondat e fundit.

Me Ibrën e Calhanoglu në tribunë për shkak dëmtimi dhe me kapitenin Romagnoli sërish në formacion, kuqezinjtë e kishin të vështirë të shkonin rrezikshëm në zonën e Udineses, që mbrohej me forca të shumta dhe shpesh zbriste rrezikshëm në kundërsulm.

Friulianët zhbllokuan sfidën në minutën e 68’ me anë të mbrojtësit Becao, që kërceu mbi të gjithë pas krosimit nga këndorja dhe dërgoi topin në rrjetë, falë edhe një shpërqendrimi të Donnarummës.

Kur dukej se gjithçka do të mbyllej me fitoren e Udineses, Nuytinck ngatërroi sport, duke prekur një top me dorë në zonë dhe arbitri akordoi penallti për Milanin, teksa nga pika e 11 metrave ishte Franck Kessie që gjuajti saktë dhe u dha një pikë kuqezinjve, që shkojnë përkohësisht -3 pikë larg kreut.

Vijon të bëjë mirë Atalanta, që triumfoi me rezultatin e thellë 5-1 ndaj Crotones dhe ruajti pozitat në vendin e katërt të renditjes, me 49 pikë, aq sa ka edhe Juventus i vendit të tretë.

Bergamaskët zhbllokuan sfidën shpejt me anë të Gosens, por pjesa e parë u mbyll në barazim, pasi në gabim i Romeros u shfrytëzua maksimalisht nga Simy, që mposhti portierin Gollini dhe dërgoi sferën në rrjetë.

Pjesa e dytë u dominua totalisht nga Atalanta, që shënoi tre herë brenda 15 minutave, fillimisht me Palominon e më pas me Muriel e Iliçiç, ndërsa pak para fundit ishte rusi Miranchuk që vulosi suksesin 5-1 të bergamaskëve.

Pas humbjes zhgënjyese në shtëpi, Roma ka reaguar mjaft mirë në transfertën ndaj Fiorentinës dhe ia ka dalë të marrë tre pikët, falë një fitoreje me rezultatin 1-2.

Anësori italian Leonardo Spinnazzola zhbllokoi sfidën në minutën e 49’, me një gjuajtje mjaft të bukur në zonë, ndërsa më pas në një kundërsulm të Fiorentinës, devijoi në mënyrë të pafat topin në rrjetën e portës së Pau Lopez.

Kur dukej se gjithçka do mbyllej në barazim, ishte mesfushori Diawara, që përfitoi nga një pasim i saktë i Karsdorp dhe shtyu topin në rrjetën e Dragowskit, duke shënuar një gol me vlerë 3-pikëshe për verdhekuqtë, që ngjiten në kuotën e 47 pikëve, vetëm dy pikë larg zonës Champions.

Verona ka befasuar Beneventon në shtëpi, pasi e ka mposhtur me rezultatin e pastër 0-3, ndërsa Cagliari ka marrë një tjetër fitore shprese, pasi mposhti 1-0 Bolognën dhe u largua nga zona e ftohtë e renditjes. Nuk pati fitues në derbin e Gjenovës, me Genoan e Sampdorian që ndanë nga një pikë falë barazimit 1-1.

/Supersport.al

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here