Në futboll thuhet shpesh se trajnerët më të mirë janë ata që janë në gjendje të ndryshojnë gjatë ndeshjes, duke marrë maksimumin nga ata që luajnë më pak. Në këtë aspekt Vincenzo Montella dhe Milan kanë gjetur një thesar të vërtetë. Me golin e fundit dhe vendimtar të Lapadula-s në “Barbera” kundër Palermo-s, kuqezinjtë kanë dërguar në 6 numrin e pikëve të grumbulluara falë kontributit të lojtarëve që janë aktivizuar nga stoli: 1 më shumë se Roma, 3 më shumë se Napoli dhe 4 më shumë se Juventus. Pa ata, më pak fjalë, Milan do të zbriste nga vendi i tretë në limitet e zonës europiane të kampionatit, me një diferencë shumë të madhe nga kryesuesit.

Tre të dhëna përbëjnë një provë. Në javën e katërt Montella ka vendosur ta aktivizojë Lapadula-n titullar për herë të parë në Serinë A, por ish-sulmuesi i Pescara-s ka zhgënjyer. Në minutën e 64-t vendin e tij e ka marrë Bacca dhe kolumbianit i kanë mjaftuar 19 minuta për t’i dhuruar fitoren 1-0 kuqezinjve. Kanë kaluar tri javë dhe skena është përsëritur: Milan ka qenë në një disavantazh prej dy golash në “San Siro” kundër Sassuolo-s dhe, kur kishin mbetur 30 minuta para fundit, trajneri kuqezi ka provuar “lëvizjen e dëshpërimit”, duke zëvendësuar Montolivo-n me 18-vjeçarin Locatelli. Edhe në këtë rast guximi është shpërblyer: mesfushori i ri ka shënuar pas 13 minutash duke barazuar përkohësisht rezultatin në 3-3 (Paletta ka kompletuar përmbysjen 4 minuta më vonë).

Në fund, ka ardhur “thembra e Djallit” e së dielës së kaluar. I bllokuar nga një barazim 1-1 në “Barbera”, Montella është përgjigjur duke bërë të kundërtën e asajqë bëri në “Marassi” (Lapadual ka marrë vendin e Bacca) dhe ka marrë të njëjtin efekt: 3’ dhe ish-golashënuesi më i mirë i Serisë B ka realizuar golin e tij të parë mes të “mëdhenjve”. Në total, janë 6 pikë të fituara: tre barazime që janë kthyer në fitore. Dhe nëse trajneri i Milan do të arrijë të shfrytëzojë akoma më shumë blerjet e reja, ky mund të jetë vetëm fillimi. Vetëm Spalletti, veçanërisht në javët e para të kampionatit, ka ditur të jetë kaq vendimtar duke peshkuar nga stoli: dygolëshi i Perotti-t në javën e parë kundër Udinese-s dhe golat e Dzeko-s e Totti-t kundër Sampdoria-s në javën e tretë i kanë dhuruar 5 pikë.

Në vendin e tretë të podiumit, mes “big”-ëve, me një diefrencë +3 nga stoli, janë Napoli dhe Lazio: Sarri duhet të falënderojë dygolëshin e Mertens (në Pescara, java 1) dhe Milik (Bologna, java 4), Inzaghi duhet të falënderojë golat e të rinjve Cataldi (java 1 me Atalanta-n) dhe Murgia (java 9 me Torino-n). Ndërsa, pavarësisht alternativave të ndryshme, Massimiliano Allegri ka arritur të ndikojë në vazhdim të ndeshjes vetëm një herë: në javën e 1-rë, kur Higuain ka realizuar kundër Fiorentina-s golin e tij të parë vendimtar me bardhezinjtë. Një kapitull të veçantë meriton Inter: asnjë pikë nuk ka ardhur nga lojtarët e stolit, po nuk shënoi Icardi, zikaltrit (në Serinë A) nuk fitojnë.

Artikulli paraprakUnited largon Schweinsteiger, dëmshpërblim rekord…
Artikulli tjetërStrategjia anti-Izrael e De Biasit