Përmbysja e bukur në fushën e Torinos me Milanin që pas dicka më shumë se 30 minutave lojë mund ta kishte parë veten në disavantazhin e 3 golave, gjithsesi u ka kushtuar rëndë kuqezinjëve. Ajo penallti e pritur nga Donarumma ndaj Ljajic, që i hapi rrugën një barazimi 2-2 të sigluar nga golat e Bertolaccit dhe Baccës, ka patur një kosto jo të vogël. Nga sfida me Torinon edhe pse mori një pikë, Milani doli goxha i dëmtuar për vetë faktin se kuqezinjtë në këtë ndeshje humbën shërbimet e dy lojtarëve shumë të rëndësishëm. Dy talentet e reja italiane të Milanit mbrojtësi Alessio Romagnoli dhe mesfushori Manuel Locatelli u ndëshkuan me kartonë në sfidën ndaj skuadrës Granata duke humbur kështu superpërballjen me Napolin që do të luhet këtë të Shtunë.

Për trajnerin Montella kanë filluar që tani dhimbjet e kokës pasi ndeshja ndaj Napolit mund të përcaktojë shumë përsa i përket garës për vendin e 3-të në Serinë A, pozicion që të kualifikon në Champions League. Loccatelli në minutën 25-të të ndeshjes u ndëshkua me karton të verdhë nga gjyqtari Tagliavento, duke plotësuar numërin e 5 të tillëve që do të thotë një ndeshje skualifikim, ndërkohë që Romagnoli dy minuta përpara fundit u largua nga fusha pas protestave të shumta me karton të kuq. Ndaj Napolit, Montella duhet t’i bëjë llogaritë pa këta dy lojtarë dhe trajnerit të Milanit nuk i mbetet gjë tjetër vecse të aktivizojë, argjentinas Gustavo Gomez përkrah Palletës në qëndër të mbrojtjes dhe Sosën në kabinën e regjisë. Sikur të mos mjaftonin të gjitha këto probleme, numri 1 i stolit të kuqezinjëve duhet të di të menaxhojë edhe situatën e Niang i cili po kalon një moment shumë të dobët forme./SS/.

Artikulli paraprakLargohet përfundimisht nga futbolli….
Artikulli tjetërTifozët e Marseille nuk e duan rikthimin e ish-yllit të tyre