SHPËRNDAJE

Mijëra qytetarë argjentinas iu bashkuan homazheve për ndarjen nga jeta të legjendës Diego Armando Maradona. Mesditën e kësaj të enjteje, arkivoli i ikonës së futbollit u vendos në “Casa Rosada”, pallati presidencial i Buenos Aires-it dhe për orë të tëra adhuruesit e tij e vizituan për herë të fundit, përpara se Maradona t’i drejtohej banesës së fundit.

Disa në lot, disa me brohorima apo britma hidhërimi, e të tjerë i kaluan pranë në heshtje duke i hedhur lule për herë të fundit legjendës së futbollit argjentinas e botëror, Diego Armando Maradona.

“El Pibe D’Oro” u nda nga jeta mesditën e djeshme, pas një ataku kardiak në vilën e tij në periferi të Buenos Airesit, ndërsa edhe mbërritja e të paktën 6 ambulancave për t’i dhënë ndihmën e parë mjekësore, nuk mjaftoi për ta mbajtur në jetë.

Maradona festoi ditëlindjen e 60 më 30 tetor dhe vetëm pak ditë më vonë iu nënshtrua një operacioni në tru, për shkak të një mpiksjeje gjaku, ndërsa së fundi ishte duke u rikuperuar në vilën e tij, ku edhe dha shpirt.