Barcelona ka nevojë për gola, për ta kthyer disavantazhin 3-0, të fiksuar në çerekfinalen e parë të Ligës së Kampioneve, në Torino. Dhe kjo gjë ka një specialist, si Leo Messi (tashmë ka shënuar 498 gola në 575 ndeshje zyrtare), ndaj sytë janë kthyer nga ylli argjentinas. Nëse Leo Messi ka nevojë për motivim ekstra në ndeshjen kundër Juventusit, këtë gjë e ka. Atij i duhen edhe dy gola për të rrumbullakosur 500 të tillë si lojtar i Barcelonës në ndeshjet zyrtare. A do ta kapë këtë shifër mbresëlënëse në kthimin me Juventusin? Fusha e blertë do ta tregojë, por impenjimi i katalanasve duket maksimal për të vijuar në gjysmëfinale të Champions-it, shkruan “Telesport”.
Rregullsia e shënimit të golave nga Messi është aq e madhe, sa duket anormale nëse lojtari në fjalë mbetet ndonjë ndeshje pa shënuar, pa dhënë asiste, pa veprime destabilizuese në radhët e kundërshtarit.
Kundër Juventusit ai do të ngjitet në kuotën e 500 golave, por më shumë se për të arritur këtë “kufi”, ai synon ta ndihmojë Barcelonën të përparojë drejt raundit të parafundit të Ligës së Kampionëve. Lionel Messi ka shënuar 498 gola në 575 ndeshje zyrtare me fanellën Blaugrana. Mesatarja e tij është 0.86 gola për ndeshje. Në La Liga ka realizuar 341 gola, në Champions 94 gola, në Kupën e Mbretit 43 gola, në Superkupën e Spanjës 12 gola, në Botërorin e Klubeve 5 gola dhe në Superkupën e Europës 3 gola.
Në këtë sezon, “pleshti” ka nënshkruar 45 gola, duke tejkaluar rekordin e së kaluarës (41 gola), por jo i pari me Luis Enrique në stol (58 gola). Sezoni i tij më të mirë duke shënuar, megjithatë, ishte ai 2011-2012, në të cilin regjistroi 73 gola. Në çdo rast, tani arrin në nëntë sezone radhazi duke shënuar 41 ose më shumë gola. Për statistikë, Messi i ka shpërndarë 498 golat e tij: 282 në “Camp Nou”, 202 si visitor dhe 14 në fushë neutrale. Messi e shënoi golin e parë me Barcelonën ndaj Albacete, të 100-tin ndaj Seville dhe të 400-tin ndaj Valencias.