Shkarkimi i trajnerit Lucien Favre i ka bërë mirë Borussias së Dortmundit, që mbrëmjen e sotme u rikthye te fitorja e munguar që prej 21 nëntorit, pasi ia doli të triumfojë me rezultatin 1-2 në transfertën e “Weserstadion” ndaj Werder Bremen.

Trajneri i përkohshëm i verdhezinjve, Edin Terzic kishte vendosur t’i besojë aktivizimin nga minuta e parë sulmuesit 16-vjeçar Moukoko, ndërsa golin e parë për Borussian e shënoi mbrojtësi portugez Raphael Guerreiro në minutën e 12’ të takimit.

Werder riktheu baraspeshën në minutën e 28’ me anë të Mohwald, ndërsa 12 minuta para fundit të ndeshjes ishte kapiteni i Borussias Marco Reus që ekzekutoi një 11-metërsh dhe në tentativën e parë topi u grushtua nga portieri Pavlenka, por më pas sulmuesi ia doli ta shtyjë në rrjetë dhe të vulosë fitoren e verdhezinjve.

Tri ditë pas fitores së bujshme 1-5 në “Signal Iduna park” ndaj Borussia Dortmund, Stuttgart u rikthye të luajë në “Mercedes Arena” përballë kryeqytetasve të Union Berlin dhe mori një pikë falë barazimit 2-2.

Miqtë nga Berlini zhbllokuan ndeshjen me Friedrich në minutën e katërt dhe më pas në të 77-ën dyfishuan shifrat me Awoniyi, por Kalajdzic shpëtoi Stuttgartin, duke shënuar dy herë në 5 minutat e fundit dhe duke vulosur rezultatin 2-2.

Artikulli paraprakÇfarë ndeshje e çmendur me përplot gola
Artikulli tjetërU ndanë saktë si vëllezër