Kombëtarja pëson dy humbje radhazi në katër ditë, fillimisht në duelin zyrtar të 24 marsit në Palermo me Italinë, me shifrat 2-0, e më datën 28 mars përballë Bosnjë-Hercegovinës në një duel miqësor në “Elbasan Arena”, me rezultatin 2-1.

Këto dy takime kanë nxjerrë të “zbuluar” trajnerin Xhani De Biazi, i cili për herë të parë që kur ka marrë drejtimin e përfaqësueses tonë në vitin 2011 ndihet i rrezikuar, madje në rrjetet sociale po rritet përditë e më shumë vota “kundër”,që do të thotë se trajneri është nën presionin e shkarkimit. Edhe pse deri dy ditë më parë De Biazi gëzonte mbështetjen e pakushtëzuar të FSHF-së, humbja e miqësores me Bosnjën ka sjellë rënien e reputacionit të tij dhe daljen në skenë të zërave kundër edhe brenda vetë federatës, që do të thotë se duke nisur nga presidenti Duka, por edhe anëtarët e Komitetit Ekzekutiv, nuk e duan më vazhdimësinë e kontratës së tij, transmeton “A.N”.

E thënë ndryshe, të gjithë besojnë se një Kombëtare pa De Biazin është më mirë. Më shumë se sa humbjet, duket se për De Biazin ka ndikuar fakti se Xhaka dhe shumë lojtarë të tjerë janë larguar nga ekipi dhe fajet duket se mëshojnë mbi shpatullat dhe vendimet e italianit.

Skenarët

Ka shumë skenarë për zhvillimet në Kombëtare gjatë javëve e muajve të ardhshëm, por më i besueshmi është ai që De Biazi ta mbyllë marrëveshjen e tij me FSHF-në sipas parashikimit, pra në fund të eliminatoreve. Por kjo mund të ndodhë vetëm me një kusht: fitores me Izraelin. Nëse Shqipëria nuk e fiton duelin me izraelitët në qershor, pikërisht në një ndeshje të vështirë në transfertë, atëherë De Biazi do të largohet. Edhe nëse nuk e jep dorëheqjen, ai mund të shkarkohet nëse e humb duelin e radhës. Të gjitha opsionet shkojnë në këtë drejtim. Sa i takon qëndrimit të tij të mëtejshëm dhe rinovimit të kontratës, duket se është skenari më pak i besueshëm dhe i pazbatueshëm. Nuk përjashtohet edhe një skenar i dorëheqjes së tij në ditët e ardhshme, nëse ky presion nga të gjitha drejtimet vijon e shtohet.

Shulku: Vendimtare ndeshja me Izraelin

Nga zyrtarët e Federatës Shqiptare të Futbollit që ka folur për çështjen “De Biazi” dhe që duhet marrë seriozisht, është numri dy i këtij institucioni, sekretari i përgjithshëm, Ilir Shulku, i cili për herë të parë në kaq kohë pranon edhe opsionin e largimit të teknikut italian, ndërsa shton se ndeshja me Izraelin në qershor është vendimtare.

“Në ndeshje të tilla nuk është se ka pasur interesim të madh. Dënimi i tifogrupit ka ndikuar te të tjerët. Besoj se grupimet thjesht nuk kanë ardhur të organizuar. Nuk besoj se ka shumë lidhje me tifozeritë e tjera fakti që është dënuar. Xhaka? Ndoshta kjo është më shumë mediatike. Pakënaqësi e lojtarit, probleme që zgjidhen brenda familjes. Xhaka e ka vendin në ekip, është i mirëpritur, pavarësisht asaj që ka ndodhur. Nuk e di nëse është e vërtetë që Xhaka ka thënë se nuk vjen më. Kontrata?

Shpresojmë që mos ndodhë humbja në Izrael. Të marrim rezultat pozitiv, Izraeli nuk ka diferenca me ne, pavarësisht si mori loja në Elbasan. Të rikuperojmë ato pikë. Nëse kontrata do të ndërpritet me mirëkuptim, është diçka tjetër. Dënimi? Për të qenë realist, rrezikojmë shumë. Kemi pasur të tjera probleme, gjoba të majme vazhdimisht, që ndikojnë direkt në buxhet. Do të ketë besoj gjobë, por ndoshta edhe ndeshje pa tifozë”, u shpreh Shulku. Nga anëtarët e KE të FSHF-së, i drejtpërdrejtë ka qenë Fatbardh Jera, i cili e ka quajtur të mbaruar ciklin e De Biazit, pra duke kërkuar largimin e tij.

“De Biazi e ka kontratën deri në fund të edicionit. Megjithatë, ky mund të jetë edhe fundi i ciklit të tij. Natyrisht, ai mund të largohet pas përfundimit të edicionit. Xhaka? Më vjen keq që ndodhi ashtu. Duke pasur parasysh rolin e tij, por edhe kundër skuadrës që kishim përballë, mendoj se do të ishte një sfidë e bukur në mesfushë mes tij dhe Verratit”, tha Jera.

Artikulli paraprakYlli i Juventusit nuk luan ne derbi me Napolin?
Artikulli tjetërZyrtare: Synimi i gjigantëve evropian kompleton kalimin te Borussia Dortmund