Kylian Mbappe mund të largohet nga PSG në fundin e sezonit. Sulmuesi francez reagoi ashpër pas përfshirjes së tij në videon reklamuese të fushatës së abonimeve për sezonin 2023/2024.
“Nuk kam qenë i informuar për përmbajtjen e videos. Nuk jam aspak dakord, sepse për këtë arsye unë kam luftuar për të drejtat e imazhit. PSG është një klub i madh, por nuk bëhet fjalë për Kylian Saint-Germain”, u shpreh 24-vjeçari.
Në rast largimi të yllit të sulmit, drejtuesit e PSG-së do të hidheshin në sulm për të siguruar një ndër talentet më të mëdhenj të futbollit anglez: Jude Bellingham.

Edhe pse vetëm 19 vjeç, mesfushori po luan sezonin e tretë me Borussia Dortmund dhe është kthyer në një nga lojtarët më të rëndësishëm në kombëtaren angleze.
Real Madrid kërkon shërbimet e tij, njësoj si të gjithë klubet e mëdha të Premier League. Në garë për Bellingham pritet të futet edhe PSG. Presidenti Al-Khelaifi e cilëson si përforcimin e duhur për skuadrën nëse Mbappe zgjedh të nisë një aventurë të re.