Legjenda e futbollit boteror, Diego Armando Maradona ka thënë se dorëheqja e Leo Messit nga kombëtarja e Argjentinës dhe kthimi i mëvonshëm “ishte për të na bërë të harrojmë se ata humbën.” Ai kritikoi, gjithashtu, komisionin e standardeve të AFA: “Ata nuk kanë asnjë ide,” – tha ai. Legjenda e futbollit argjentinas e thotë gjithmonë mendimin të drejtpërdrejtë, pavarësisht se deklaratat e tij janë shpesh të diskutueshme.

Dhe, këtë të mërkurën e kaluar, duke folur për radio “’La Red”, nuk bëri përjashtim: “Unë nuk e di nëse historia e Messit ishte pak një montazh për të na bërë që të harrojmë humbjen e 3 finaleve.”

Ai e kritikoi kapitenin për dorëheqjen e tij nga kombëtarja, pasi u largua pa efekt: “Messi u zemërua me të gjitha, por më së paku e ka për detyrë të vuajë për Argjentinën. Edhe unë isha i zemëruar me të gjitha, sepse faji nuk është vetëm i tij. Përse duhej ta bënte atë? Njoftimi për t’u tërhequr nga kombëtarja ishte i shpejtë. Nuk besoj se rikthimi bëhet për shkak të vuajtjes dhe lutjes së argjentinasve, as prej dhimbjes së humbjes në finale. E gjithë kjo nuk e di nëse ishte një dredhi për të na bërë të harrojmë se tri finale të humbura i kemi në prapanicë.”

Kapiteni i Argjentinës, kampione botë në “Meksikë 1986”, foli edhe për Edgardo Bauza, trajnerin e ri të “Albiceleste”: “I kam dërguar një mesazh urimi, duke I kujtuar gjënë më të rëndësishme, që të mos imponohen gjërat në kombëtare. Nëse vjen Messi, mirë se të vijë; nëse do Aguero, me siguri do të vijë, por nuk imponohen këto gjëra, sepse bëhet fjalë për kombëtaren e vendit tonë. Unë nuk mund t’i imponoj asgjë kurrkujt. Ju mund të jeni më i miri, apo më i keqi në botë, por gjithkush ka rrugët e veta në futboll. Nuk duhet thënë se kemi nevojë për ju, por kemi nevojë për ju që e doni kombëtaren.”

Artikulli paraprak“Fshesa” e Guardiola-s: Mangala te Napoli, kurse Nasri suprizon me skuadrën e re?
Artikulli tjetërVeç edhe të premtën…