Duket se nuk ka fund makthi i tifozëve të Manchester United. E nisën javën e shkuar me shijen e hidhur në derbin me City, vijuan me një grusht të rëndë nga Feyenoord në Europa League dhe për mbyllje erdhi një humbje poshtëruese nga Watford.

Lista e të akuzuarve është e gjatë, jo vetëm me Paul Pogba. Janë shumë të dhëna që dënojnë në këtë fillimsezoni trajnerin Mourinho. Në fakt, portugezi nuk ha humbur në tri ndeshje radhazi që nga viti 2006, dhe me pak fjalë kjo është fundjava më e keqe e 10 viteve të fundit e të ashtquajturit “Special One”. Dhe jo vetëm kaq. Rikthimi në Premier League tregon një regres të karrierës së portugezit. Aventura te Chelsea vitin e shkuar dhe e reja me United kanë regjistruar vetëm të dhëna negative: 14 humbje në 32 ndeshje dhe në 21 të fundit 33% e ndeshjeve janë humbje. Numra aspak specialë.

Dhe siç ndodh gjithnjë, portugezi është fokusuar përgjithësisht te kritikat për abitrimin apo për futbollistë të caktuar. I fundit nga fajtorët është Luke Shaw, që pasi u zëvendësua gjatë ndeshjes, mori edhe një lumë me kritika nga trajneri. Faqet e para të tabloideve në Britani i kanë dhënë një hapësirë shumë të madhe kësaj ngjarjeje. “Eurosport”, me një ironi therëse, ka postuar karikaturën e radhës, që bën një paralelizëm mes portugezit dhe paraardhësit të tij Van Gaal.

Gjithsesi, ajo që mund të kuptohet në këtë moment është se durimi i tifozëve ka shkuar në limit.

 

/ Top Channel

Artikulli paraprakArsenali ka gati 100 milionë euro për Griezmann!!!
Artikulli tjetërShkaqet pse humbi Juventus dhe ku gaboi Allegri