Shqipëria bëri detyrën në transfertë ndaj San Marinos, fitoi 0-2 me gola të Manajt dhe Uzunit, por përtej tri pikëve që ishin detyrim, la për të dëshiruar për nga niveli i lojës. Gjatë pikë në tri sfidat e parë eliminatore qëndrojnë, pasi kritikat për humbjen me Anglinë në “Air Albania” mund të jenë të tepërta, por gjithsesi Shqipëria e Rejas nuk ngrohu aspak përballë dy kundërshtarëve modestë, Andorrrës dhe San Marinos.

Edy Reja kishte vendosur të bënte shumë ndryshime në formacionin, një i detyruar vetëm pak minuta para nisjes së takimit, për shkak të një problemi muskulor të Memushajt, por rreshtimi ishte 3-5-2, me Strakoshën në portë, Ajetin, Gjimshitin dhe Veselin në mbrojtje, Hysaj e Lanjani në krahët e mesfushës, me detyrën për të shtyrë deri në fundore, Bare, Ramadani e Laçi në brendësi të repartit të mesëm dhe në vijën e parë të sulmit Broja e Manaj.

Kuqezinjtë e mbyllën që në fillim në gjysmëfushën e saj San Marinon, por veprimet sulmuese, në fakt linin për të dëshiruar, aq sa gjatë 45 minutave të para i vetmi moment i rrezikshëm në portën e vendësve ishte ai i minutës së 14-të, kur pas kombinimit mes Bares dhe Manajt, Hysaj doli i lirë në zonë, tentoi portën, por goditja e shkodranit u ndal nga portieri. Thuajse të gjitha krosimet e kuqezinjve u larguan në një mënyrë a tjetër nga mbrojtja e San Marinos, ndërsa tentativat nga distanca nuk përfunduan në portë.

Shqipëria e nis fraksionin e dytë me dy ndryshime në formacion: Uzuni mori vendin e Laçit, ndërsa Odise Roshi zëvendësoi Brojën. Pas vetëm 40 sekondave lojë Myrto Uzuni iu afrua golit, prirët me portën, por ndërhyrja e portierit me këmbë ishte vendimtare.

Çfarë humbet Shqipëria në minutën e 54-t! Hysaj avancon nga krahu i djathtë, pason në qendër për Roshin, por topi ishte i paarritshëm për sulmuesin 29-vjeçar.

Dy minuta më vonë, nga një goditje standarde, çuditërisht as Veseli, as Manaj e as Ajeti nuk arrijnë ta devijojnë topin me kokë drejt rrjetës.

Andorra ia del të bëjë goditjen e parë drejt portës kuqezi në minutën e 61-të, me Strakoshën që kontrollon pa asnjë problem dhe vetëm pak çaste më vonë Manaj më në fund ia del të shënojë me kokë mes një grumbulli të madh futbollistësh, pas krosimit të saktë të Uzunit, 0-1.

Goli i çliroi psikologjikisht kuqezinjtë, që në të 68-tën për pak realizuan të dytin me Uzunin, që sërish u ndal nga portieri. Ramadani nuk ka shënjestrën e duhur në të 76-tën, me topin që përfundon mbi tra.

I pafat i Hysaj në minutën e 83-të. Shkodrani ledhatoi shtyllën me një goditje, më shumë se potente, të zgjuar, diagonal me portën, pas pasimit të marrë nga Lenjani. Gjithsesi, vetëm një minutë më vonë në zhvillimet e një këndoreje, pas traversës me kokë të Gjimshitin, goditjen e Veselit e devijoi në momentin e fundit drejt rrjetës Myrto Uzuni, 0-2.

Sulmuesi beratas mund ta kishte mbyllur me dygolësh nëse do të të ishte më i saktë në koordinimin më kokë në fundin e sfidës.

U mbyll me fitoren 0-2 të kuqezinjve kjo përballje, rezultat që e ngjit Shqipërinë në vendin e tretë me gjashtë pikë, një pak se Hungaria dhe dy më shumë se Polonia. Grupi I kryesohet me pikë të plotë nga Anglia.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here