Fiton Manchester City, bie Manchester United në “Old Trafford. Ndërkohë që Tottenhami siguroi një fitore drithëruese në minutat shtesë.

Kampionët në fuqi të Anglisë, triumfuan 1-3 përballë West Ham në Londër, duke i shkaktuar humbjen e parë skuadrës së David Moyes.

Vendasit mbyllën pjesën e parë në avantazh falë golit të Ward-Prowse, por skuadra e Pep Guardiolës përmbysi gjithçka në fraksionin e dytë me Doku, Bernardo Silva dhe Haaland.

Pesë fitore në po kaq ndeshje dhe vendi i parë në renditje për Manchester Cityn. Me të njëjtin rezultat përfundoi edhe sfida United-Brighton. Djemtë e De Zerbit arritën një sukses të madh në “Teatrin e Ëndrrave”.

Welbeck zhbllokoi takimin, teksa miqtë shënuan sërish në pjesën e dytë me Gross dhe Joao Pedro. Pa vlera ishte realizimi i Mejbri për ekipin e Ten Hag.

Tottenhami po humbiste deri në minutat shtesë, por golat e Richarlison dhe Kulusevskit, i dhuruan londinezëve triumfin 2-1 kundër Sheffield United (Hamer).

Goli i brazilianit Carlos Vinicius i dhuroi Fulhamit fitoren minimale përballë Lutonit, teksa Aston Villa mposhti 3-1 Crystal Palace. Golat u shënuan në 45 minutat e dyta.

Edouard kaloi skuadrën udhëtuese në avantazh, por djemtë e Unai Emery përmbysën rezultatin në “limitet” e takimit nëpërmjet golave të Duran, Douglas Luiz dhe Bailey.

Artikulli paraprakRrebesh golash në ndeshjen Freiburg-Dortmund
Artikulli tjetërInter e deklasoi Milanin në Derbin Madonnina