Reali i Madridit ka fituar pak kampionate (4 në 13 sezonet e fundit), por sa herë e ka fituar, ka shkaktuar një tërmet në Barcelonë.
Kjo nuk lidhet vetëm me dëshpërimin që ekziston në një skuadër kur fiton rivali tjetër i përjetshëm, por me krizat e mëdha që janë shkaktuar në Barcelonë dhe largimet e bujshme në këto sezone.

Këtë herë pritet që të largohet miti i kësaj skuadre, Lionel Messi. Në sezonin 2017 u largua Neymar Junior, në vitin 2012 ishte Guardiola që braktisi Barcelonën dhe në vitin 2008 Ronaldinho iku nga katalanasit.

LARGIMI I RONALDINHO-s – Në sezonin 2007-2008, Reali i Madridit fitoi titullin kampion për vitin e dytë radhazi me gjermqnin Schuster në stol. Barcelona mbylli një vit katastrofik me 0 tituj dhe në kampionat ishte e treta me 18 pikë diferencë nga Reali. Kriza e shkaktuar çoi në largimin e Rijkaard dhe Laporta solli Guardiolën në stol. Trajneri bëri revolucion, nga i cili pati edhe një largim të madh si Ronaldinho. Braziliani ishte legjendë e idhull i blaugranëve dhe përfundoi te Milani.

CIKLI I PEP – Në etapën e dytë fitoi Jose Mourinho
titullin kampion me Realin e Madridit pas 3 vitesh dominim të Barcelonës së Pepit. Ishte një titull shumë i luftuar dhe në fund triumfuan “Galaktikët” me 100 pikë. Pas këtij sezoni, Pep Guardiola shokoi të gjithë Barcelonën duke mbyllur etapën e tij të lavdishme dhe historike me 14 tituj të fituar për 4 sezone.

KLAUZOLA E NEYMAR – Titulli kampion në vitin 2017 u shoqërua edhe me Ligën e Kampioneve. Zinedine Zidane fitoi dy herë, por ky nuk ishte i vetmi lajm negativ për Barcelonën. Pak javë më vonë, PSG-ja u paraqit në zyrat e klubit me 222 milionë euro për të paguar klauzolën e brazilianit dhe për ta transferuar në skuadër. Barcelona pa me sytë e saj se si po shkatërrohej treshja MSN, e pafuqishme për të bërë diçka. Këtë sezon Reali i Madridit mori titullin kampion pasi përmbysi diferencën e vogël me Barcelonën dhe u dha goditje katalanasve. Këto goditje po ndihen edhe sot, ku lojtari më i mirë i historisë kërkon të largohet.
/Panorama Sport