Botërori i Klubeve pak nga pak po kthehet në një legjendë të mirëfilltë për mallkimin që mbart mbi vete që nga viti 2006. Që atëherë, kur u vendos që mbi fanella të vihej stema dalluese e fituesit të trofeut, fatkeqësitë për klubet fitues nuk kanë të sosur dhe në vitin pasardhës, thuajse të gjithë zhgënjejnë në mënyrë të pabesueshme si pasojë e kombinimeve të çuditshme të dëmtimeve me mungesën e rezultateve.

Mjafton të shohësh se çfarë po ndodh me Real Madridin gjatë javëve të para të këtij vit. Një muaj më parë ishte ekipi më i vlerësuar në botë dhe kishte në radhët e tij “Topin e Artë” të padiskutueshëm. Por madrilenët aktualisht po kalojnë një situatë të pabesueshme ku brenda pak ditëve kanë humbur diferencën e krijuar në kreun e renditjes në kampionat, janë eliminuar nga Kupa si dhe kanë parë se si Ronaldo është kthyer në “Topin e Artë” më të kritikuar të të gjitha kohëve pas paraqitjeve aspak bindëse dhe gabimeve të çuditshme që ka bërë para portës.

Në Madrid, të gjithë ia vënë fajin stemës që kanë vendosur në gjoks. Në vitin 2006, skuadra e parë që e mbajti atë, Internacional Porto Alegre, mundi Barcelonën në finale dhe në atë sezon përfundoi duke rënë nga kategoria. Pas saj, Milan, Inter apo Manchester United kanë kaluar nga skuadra dominuese, në ekipe jashtë luftës për trofe dhe me sezone zhgënjyese.

Vetë Reali e provoi mallkimin në vitin 2015, kur vendosi stemën në gjoks dhe pak nga pak i dha lamtumirën çdo objektivi të mundshëm sezonal, duke mbyllur sezonin me zhgënjim të plotë.

Panorama Sport

Artikulli paraprakKombëtarja e futsalit nuk di të ndalet, mposht edhe Maltën
Artikulli tjetërRoma s’ka të ndalur, të hënën do tentojë marrëveshjen me të kërkuarin nga gjithë Evropa