Malisheva ka regjistruar fitoren e dytë në fillim të edicionit të ri të Superligës së Kosovës në futboll.
Malisheva e drejtuar nga trajneri Senad Alirifa, me “hat-trick” të Drilon Hazrollajt, dy golave të Altin Aliut dhe një të Ilir Mustafës, të shtunën mposhti Fushë Kosovën me rezultatin 6:1.
Ndeshja u zhvillua në stadiumin e Ballkanit në Suharekë, për shkak të punimeve në “Liman Gegaj” në Malishevë.
Aliu në minutën e 23-të shënoi për 1:0.
Vetëm një minutë zgjati gëzimi i vendësve, pasi Urim Statovci barazoi rezultatin menjëherë.
Por, Fushë Kosovës iu vështirësuan punët kur kapiteni Valmir Kutllovci u ndëshkua direkt me të kuq, pas ndërhyrjes së rrezikshme në Arlind Veliun në minutën e 26-të. Gjyqtari Vigan Ibërdemaj e përjashtoi atë nga loja.

Pjesa e parë u mbyll baras, por pas një ore lojë, në skenë u shfaq Drilon Hazrollaj. Ai shënoi për 2:1.
Hazrollaj realizoi edhe një tjetër gol në minutën e 68-të për 3:1.
Për 4:1 u përkujdes Altin Aliu në minutën e 84-t, ndërsa katër minuta më vonë, për 5:1, shënoi edhe mesfushori Ilir Mustafa. Hazrollaj tregolëshin e kompletoi në minutën e tretë të kohës shtesë.
Malisheva prin në tabelë me gjashtë pikë, kurse Fushë Kosova e pësoi humbjen e parë. Fushë Kosova në Superligë është kthyer pas nëntë vjetësh.
/Koha.net