Për krijimin e Milanit të së ardhmes po punohet fort dhe bisedat më të rëndësishme që bie në sy është ajo e rikthimit në  klubit të një legjende si Paolo Maldini. Një përpjekje që ka nisur, por që për momentin duket se është në një të përpjetë të fortë. Kjo për shkak të diferencave mes “kërkesës” dhe “ofertës”, edhe nga ana e fuqive që do t’i lihen në dorë ish-kapitenit, ashtu dhe nga ana financiare.

Marco Fassone, administratori i ardhshëm i deleguar dhe drejtor i përgjithshëm i klubit kuqezi raportohet ta ketë takuar plot katër herë Maldinin. Në njërin prej tyre ka qenë i pranishëm edhe Han Li, drejtor ekzekutiv i “Sino-Europe Sports”.

Kapitenit legjendë i është ofruar roli i drejtorit teknik, për të cilin Maldini është vërtet i interesuar, por problemet kanë nisur që nga kërkesa e tij për një liri më të madhe veprimi në aspektin teknik. Maldini mësohet të ketë kërkuar se preferon t’i përgjigjet vetëm pronarëve kinezë, duke shmangur Fassonen apo drejtorin sportiv Mirabelli. Klubi në fakt mendon për një menaxhim “kolegjial”.

Palët e interesuara janë të diferencuara edhe sa i përket anës financiare. Klubi besohet se i konsideron “të tepruara” kërkesat e legjendës kuqezi. Megjithatë, Maldini ka vendosur të marrë edhe disa ditë kohë për të venosur. Marrëveshja, sot për sot duket e vështirë, por diskutimi mbetet ende i hapur për sa kohë që nuk janë mbyllur ende dyert.

Në mbështetje të rikthimit të legjendës kuqezi në organikën e klubit ka dalë edhe “SuperPippo” Inzaghi, ish-sulmues dhe ish-trajner i Milanit. “Maldini është një njeri i shkëlqyer që e njeh shumë futbollin. Milani më ka mbetur në zemër, por tani për tani mendoj për Venecian. Dua të bëj më të mirën për këtë qytet dhe tifozët e tij”.

“Do të bëj tifo për Milanin gjatë gjithë jetës sime, – shprehet Inzaghi për “Sky Sport”. – Ai është një klub që më ka dhënë shumë, ndaj dhe informacionet e para pas ndeshjeve të Venecias kanë të bëjnë me rezultatin e Milanit. Iu uroj kuqezinjve një rikthim sa më të shpejtë në vitrinën e futbollit italian e europian, aty ku meriton të jetë, ndërsa për Montellën uroj më të mirën e mundshme”.

Sipas Inzaghit, te Milani ka qenë gjithnjë i pranishëm Franco Baresi, një prej flamujve më të shquar të kësaj skuadre, por nuk kanë mbetur pas edhe emrat e Maldinit, Albertinit dhe Ambrosinit. Të gjithë këta, të aftë të japin ende shumë për kuqezinjtë, sepse e njohin mirë “ADN”-në e Milanit.

/ Top Channel

Artikulli paraprakTronditet Kroacia: Tjetër lojtar kryesor mungon ndaj Kosovës
Artikulli tjetërTifozët e ulin në bankë Mandzukicin