MSN, “tridenti” masakrues i Barcelonës, që përbëhet nga Messi, Suarez dhe Neymar, arriti një shifër të jashtëzakonshme në ndeshjen e fundit të La Liga-s, kundër Espanyol (0-3), në fushën e këtij të fundit, shkruan “T.S”.

Në “Cornellà-El Prat: u rrumbullakosën plot 350 gola, që këto tre lojtarë kanë shënuar së bashku me fanellën e skuadrës katalanase, që prej bashkimit të tyre në “Camp Nou”. Kjo shifër ndahet mes të treve në këtë raport golash: Messi-148, Suarez-117 dhe Neymar-85. Sikurse duket, pra, treshja e mahnitshme e Barcelonës ka arritur piketën e madhe në tri sezone, duke shënuar nën petkun e MSN 122 gola në sezonin e parë të përbashkët (2014-2015), 131 gola në sezonin e dytë (2015-2016) dhe 97 gola në sezonin e tanishëm (2016-2017).

Kryeshënuesi i MSN është Leo Messi, ylli argjentinas, i cili, duke luajtur së bashku me Neymar dhe Suarez, ka nënshkruar 148 gola. Pesë herë fituesi i “Topit të Artë” ndiqet nga sulmuesi uruguajan, me 117 gola. Braziliani Neymar, ndërkohë, akumulon 85 gola. MSN ka bërë 4 herë “poker” golash, 19 herë ka nënshkruar “hat-trick” dhe 60 herë dopieta. Në 157 ndeshje, ky ”trident” ka shënuar nga një gol. Sikurse e tregojnë edhe shifrat, Messi-Suarez-Neymar janë një makinë golash, masakrues të çdo kundërshtari, të pakrahasueshëm me “tridentë” të tjerë, qoftë ky edhe BBC i Real Madridit.

Messi dhe Suarez, në anën tjetër, janë të vetmit lojtarë të Barcelonës në tri sezonet e fundit, me Luis Enrique në stol, që kanë shënuar në të gjitha garat, ku ka luajtur skuadra katalanase: La Liga, Liga e Kampionëve, Kupa e Mbretit, Superkupa e Spanjës dhe e Europës dhe Botërori për Klubet./Korneri.net.

Artikulli paraprakDerbi i Evropës, Atletico synon të thyejë “mallkimin” ndaj Realit
Artikulli tjetërNuk është keq: Jose Mourinho ka thyer një rekord fantastik të Alex Ferguson