Benjamin Kololli ka shkëlqyer këtë javë në Zvicër jo vetëm për dy golat që i dhanë skuadrës së Lozanës fitoren ndaj Luagnos, por edhe për disa deklarata që ka lëshuar pas ndeshjes së djeshme. Në Zvicër ka bërë bujë këtë fundjavë lajmi se gjyqtari 37-vjeçar Paskal Erlahner ka pranuar publikisht se është homoseksual.

Pas ndeshjes së djeshme, Kololli ka folur për mediat zvicerane rreth kësaj teme dhe deklaratat e tij janë cilësuar si të papërshtatshme. E përditshmja “Blick”, që ka intervistuar lojtarin e përfaqësueses së Kosovës, mendon se në futbollin zviceran nuk ekziston toleranca ndaj homoseksualëve duke marrë shkas pikërisht nga fjalët e Kolollit.

“Kjo është zgjedhja e tij. Ne jetojmë në një botë ku çdo gjë mund të ndodhë. Ne e diskutuam këtë çështje me skuadrën. Nëse do të kishte qenë një lojtar që do të kishte deklaruar homoseksualitetin, do të ishte vlerësuar më negativisht. Do të ishet më e vështirë për ta kapërdirë.

A ka homoseksualë te Lozana? Shpresoj që jo. Por edhe është e mundur. Por nëse është kështu, personi në fjalë më mirë të ruajë gjithçka për veten. Kjo mund të krijonte konflikt në skuadër, pasi të gjithë bëjmë dush bashkë. Nuk do të ishte ide e mirë që një lojtar të shprehej publikisht rreth homoseksualitetit të tij”, ishin fjalët e Kolollit i cili është kritikuar në mediat zvicerane për këtë qëndrim të tij.

Artikulli paraprakKuiz: Testo njohuritë e tua mbi sportin!
Artikulli tjetërNëse Heynckes bindet, Bayern do të drejtohet nga një 30-vjeçar