Skuadra e Llapit ka shijuar fitoren e parë këtë edicion në Superligën e Kosovës në futboll. Llapi, të dielën e mposhti skuadrën e Dukagjinit në kuadër të xhiros së dytë të elitës së futbollit kosovar.
Ndeshja e luajtur në stadiumin “Zahir Pajaziti” në Podujevë, përfundoi me rezultatin bindës 3:0 në favor të ekipit vendas. Për Llapin, kjo fitore erdhi pas humbjes në xhiron e parë që e pësoi në udhëtim nga skuadra e Dritës. Në anën tjetër, Dukagjini rreshtoi humbjen e dytë pas disfatës që e pësoi javën e shkuar në shtëpi nga Malisheva.
Skuadra e Llapit deri në 20-të minutat e fundit të ndeshjes nuk e siguroi fitoren.

Në këtë periudhë kohore, skuadra e trajnerit Tahir Batatina shënoi tri herë për tri pikët e para këtë edicion. Pjesa e parë u mbyll pa gola, në të cilën asnjëra prej skuadrave nuk pati ndonjë rast të mirë shënimi.
Në pjesën e dytë, Llapi u shfaq më kërkues se Dukagjini dhe rezultatin e zhbllokoi në minutën e 69-të. Mbrojtësi i krahut të majtë, Ilir Blakçori shënoi me kokë nga afërsia pas një harkimi të thellë në zonë. Epërsinë e dyfishoi sulmuesi Muhamet Hyseni në minutën e 78-të, që u tregua më i vëmendshmi në tollovinë e krijuar para portës për ta dërguar topin në rrjetë. Ndërkohë, rezultatin përfundimtar të takimit, e vulosi Trimor Selimi, i cili mposhti portierin Kenan Haxhihamza.
/Koha.net