Ashtu si çdo e diel, edhe kjo e sotmja do të vijë me emocione të shumta me disa nga përballjet më interesante të ligave kryesore evropiane. Kështu Liverpooli do të udhëtojë drejt Londrës për t’u përballur me Fulham në “Craven Cottage” në orën 17:30.

Pasi siguruan pa problem kualifikimin në fazën e 1/8-ave të Ligës së Kampionëve, “The reds” mund të përqendrohen tashmë te kampionati dhe transferta e sotme është nga ato ndeshje ku fitorja shndërrohet në detyrim, për të provuar shkëputjen në krye.

Lista e të lënduarve te Liverpool është shumë e gjatë dhe përmban emra si Diogo Jota, Alcantara, Alisson, Milner, Van Dijk, Joe Gomez, Shaqiri, etj., megjithatë në fushë do të jenë emra si Salah, Mane, Firminho, etj., të cilët janë gati të udhëheqin skuadrën drejt fitores së radhës.

Pas një starti katastrofik të kampionatit, Barcelona do të kërkojë të rikuperojë distancën nga Atletico e Madridit që kryeson renditjen, duke shfrytëzuar edhe humbjen e “Los Colchoneros” në derbin ndaj Realit mbrëmjen e djeshme.

Messi me shokë do të presin Levanten në “Camp Nou”, një fushë ku 5 ditë më parë zhgënjyen e humbën ndaj Juventusit, por sonte do të jenë të dënuar të fitojnë, për të provuar të mbajnë ende gjallë shpresat për titullin kampion.

Një përballje mjaft interesante vjen nga kampionati francez, ku Paris Saint Germain do të presë në “Parc de Princes” skuadrën e Lyonit sonte në orën 21:00. Të dy ekipet po bëjnë mjaft mirë këtë fillim sezoni dhe kjo dëshmohet qartë edhe në renditje, ku i ndajnë vetëm dy pikë, ndonëse PSG shihet si favorite jo vetëm për të fituar përballjen e sotme, por edhe titullin kampion.

Artikulli paraprakBenzema kishte mbrëmje speciale në derbin ndaj Atl.Madrid
Artikulli tjetërSimeone merr përgjegjësinë e humbjes në derbi: Trajneri nuk ishte i kthjellët