Sot feston 80-vjetorin e lindjes një prej personave më të veçantë të futbollit italian. Quhet Carlo Mazzone, shpesh e thërrasin Carletto siç bëjnë edhe me Ancelottin, por është më veterani ndër trajnerët italianë, i cili kryeson klasifikimin me 795 pankina të drejtuara në Serie A.

Ndër të parët që e kanë uruar është edhe Roberto Baggio. “Bishtaleci” i ka shkruar një letër, e cila është publikuar nga “Corriere della Sera”.

“Do të të jem gjithmonë mirënjohës, je një mit i vërtetë dhe autentik”, thuhet mes të tjerash në letrën e ish-yllit të kombëtares italiane, Milanit, Interit, Juves, por edhe Brescias ku edhe mbylli karrierën, shkruan “T.CH”.

Ish-trajneri dhe ish-futbollisti kanë shkruar së bashku një faqe historie të ekipit verior të Brescias: 3 vite intensive 2000-2003, të cilat u shënuan nga një lidhje e pashlyeshme mes të dyve.

“I dashur Carlo, nesër (sot) ti do të shënosh një nga datat më të rëndësishme të jetës. Ndaj dua të të them sesa privilegj i pamasë ka qenë të jetoja së bashku me ty, te Brescia, 3 vite të karrierës sime. Do të të jem gjithnjë mirënjohës, e më vjen keq vetëm për diçka: që të kam takuar shumë vonë në karrierën time. Lidhja mes nesh ka qenë që në fillim speciale, kam vlerësuar Mazzonen si profesionist dhe kam adhuruar Carlon si njeri. Je formuar me një ndjeshmëri të pashembullt, si një njeri i jashtëzakonshëm. Shoh me kënaqësi që e gjithë Italia feston për ty, e meriton këtë përkrahje, sepse je një mit i vërtetë dhe autentik. Po të lë të festosh me familjen tënde, e di që je mirë dhe do vij të të gjej së shpejti për të të përqafuar sërish. Shumë urime Carletto, je i madh!”, shkruan Roberto Baggio.

Por dy fjalë urimi për këtë 80-vjetor i ka edhe Francesco Totti, legjenda dhe flamuri i Romës. “Jemi njohur së bashku kur unë isha 16 vjeç, isha veçse një djalosh! Më ke rritur si njeri dhe si futbollist. Më ke mbrojtur, më ke thirrur shpesh dhe më ke bërë të tregohem i vetëpërmbajtur në një moshë që ka qenë e vështirë për ta bërë diçka të tillë. Kushedi si do të kishte shkuar karriera ime dhe jeta ime, nëse nuk do të kishe qenë ti përpara. Urime për 80 vitet e para të tua”, shkruan në “Facebook” fantazisti veteran i verdhekuqve.

Artikulli paraprak“I refuzova kampionët në Premier League, pas trajtimit që i bën Ranierit”
Artikulli tjetërOtamendi kthehet sërish në Spanjë, por këtë herë te…