Mbrëmje e pasur me emocione dhe spektakël në NBA. Për herë të parë në karrierë LeBron James e mbylli përpara kohe një sfidë të NBA-së, pasi plotësoi numrin e gabimeve personale duke u përjashtuar nga gjyqtarët, por as largimi nga parketi i mbretit nuk ndali hovin e Cleveland-it. Cavaliers u konfirmuan si skuadra e momentit pasi të udhëhequr nga Kevin Love, kaluan me rezultatin 108-97, Miami Heat, duke regjistruar fitoren e 9-të radhazi. Boston Celtics tashmë e ndien presionin sepse pas një fillimi shumë të dobët të sezonit, skuadra nga Ohio është rikthyer fuqishëm dhe do të tentojë vendin e parë në Konferencën e Lindjes. 38 pikë 9 rebound dhe 2 asiste koleksionoi Kevin Love në suksesin ndaj Heats, ndërsa mbreti James deri në momentin e përjashtimit kishte realizuar 21 pikë, 12 kërcime dhe 6 asistime. 21 pikët e Dion Waiters nuk i mjaftuan Miami-it që pas tre fitoreve rresht pësoi humbjen e 10-të sezonale.

Surprizon Washington Wizards. Skuadra kryeqytetase triumfoi brenda në Minneapolis përballë Minnesotta Timberwolves me rezultatin e ngushtë, 92-89 duke u rikthyer te fitorja pas 2 humbjeve. Në një ndeshje ku dy yjet e Minnesotas, Karl-Anthony Towns dhe Jimmy Butler nuk shfaqën versionin më të mirë të repertorit të tyre, përfitoi Washingtoni që iu fal 22 pikëve të realizuara nga Oto Porter për të marrë një fitore shumë të rëndësishme. Nuk ka dritë në fund të tunelit për Chicago Bulls. Formacioni nga Ilinois pësoi humbjen e gjashtë rresht dhe të 11-tën në 12 ndeshjet e fundit pasi u mposht në shtëpi nga Phoenix Suns 104-99. Për miqtë nga Arizona në këtë ndeshje shkëlqeu ylli i skuadrës, Devin Booker autori i 33 pikëve ndërsa e ndihmoi Phoenix-in edhe me 9 kërcime e 4 asistime. Spektakël dhuroi Utah Jazz që në Salt Lake City, shkatërroi Denver Nuggets 106-77 duke regjistruar fitoren e tretë radhazi. Një meritë ta padiskutueshme në këtë fitore të Utah e kishte Derrick Favors që realizoi 24 pikë 9 kërcime e 5 asistime.

/Supersport.al

Artikulli paraprakJu kujtohet Giuseppe Rossi, ja ku pritet të transferohet brenda orëve
Artikulli tjetërPirlo e pranon: Këtij futbollisti i’a vodha idetë për goditje denimi