Italia mbeti jashtë Botërorit të Rusisë, që do të zhvillohet vitin e ardhshëm, por Lapadula ndoshta mund të jetë pjesë e kompeticionit më të rëndësishëm në futboll. Një skenar i konsideruar i pabesueshëm, por që mund të bëhet realitet.

Trajneri i Perusë, Ricardo Gareca nuk e ka përjashtuar mundësinë e të grumbulluarit në muajin qershor të ish-sulmuesit të Milanit, aktualisht te Genoa, i cili e kishte refuzuar më parë thirrjen e kombëtares amerikano-latine në vitin 2016, pasi shpresonte që të luante me Italinë. Me “axurrët”, ndërkohë, ai ka zhvilluar vetëm dy ndeshje miqësore.
“Porta është e hapur për të gjithë, mjafton dëshira e lojtarëve”, ka thënë trajneri peruan për “Il Secolo XIX”.
Për Lapadulën, i cili ka shënuar një trigolësh ndaj San Marinos me fanellën e Italisë, hapet kështu një dritare e re për të qenë pjesëmarrës në Botërorin rus me Perunë.

Futbollisti në fjalë kaloi me shumë bujë nga Pescara te Milani, pas një sezoni të shkëlqyer në Serie B me bardhekaltrit, me të cilët u shpall edhe golashënuesi më i mirë. Por me kuqezinjtë ai zhvilloi një sezon për t’u harruar, duke humbur kështu edhe mundësinë për t’u grumbulluar me Italinë.

“Nuk i kemi mbyllur derën askujt, – shpjegon trajneri i Perusë. – Nuk jemi në gjendje për ta bërë një gjë të tillë. Dera është e hapur dhe ne do të konsiderojmë çdo peruan që tregon dëshirën për t’u bërë pjesë e kombëtares. Nëse Lapadula do të kërkojë një gjë të tillë, atëherë do ta marrim në konsideratë”.
Peruja siguroi biletën për në “Rusi 2018” pas fitores në ndeshjen “play off” me Zelandën e Re.

/Top Channel

Artikulli paraprakSkuadrat e kualifikuara në Ligën e Kampionëve
Artikulli tjetërGolashëuesi më i mirë i Sevillas në Ligën e Kampionëve