Los Angeles Lakers shpërdoruan avantazhin e plot 26 pikëve në Oklahoma ndaj City Thunder, duke regjistruar humbjen e tretë që në startin e sezonit të ri. Një disfatë e rëndë për 17 herë kampionët e NBA, që djeg vërtet shumë për skuadrën kaliforniane, e cila humbi në këtë ndeshje gjithashtu edhe organizatorin Russell Westbrook, që u përjashtua në këtë ndeshje, pasi u ndëshkua në fund me gabimin e dytë teknik. Thunder i kishin humbur që të katër takimet e edicionit të 76 të kampionatit më spektakolar në rruzull, megjithëse për hir të së vërtetës vlen të theksohet fakti që Oklahoma u përball me një kalendar tepër të vështirë, ndaj kundërshtarëve si Utah Jazz, Houston Rockets, Philadelhia 76ers dhe Golden State Warriors.

Trajneri Frank Vogel nuk pati në dispozicion për të dytën ndeshje radhazi Mbretin James, për shkak të një dëmtimi në nyjën e këmbës, madje 48-vjecari nga New Jersey kishte të gatshëm në stol vetëm pesë basketbollistë gjithsej, si Carmelo Anthony, Avery Bradley, Dwight Howard, Austin Reaves dhe Rajon Rondo. Mysafirët e nisën takimin në mënyrën më të mirë të mundshme, duke përfunduar periudhën hapëse me epërsinë e thellë 41-19, ndërsa në 12’ e dytë “liqenorët” prekën edhe avantazhin e 26 pikëve, me shifrat 70-44. Vendasit e përmirësuan lojën e tyre dhe falë ecurisë së pjesshme 12-2 shkurtuan ndjeshëm diferencën, për të mbyllur pjesën e parë me rezultatin 72-56. Basketbollistët e Oklahoma-s forcuan mbrojtjen, ndërsa mysafirët filluan të ndjejnë shenjat e para të lodhjes, pasi vetëm 24 orë më herët patën nevojë për kohën shtesë, për të mposhtur 125-121 brenda në Teksas pas një ndeshje tepër të luftuar ekipin e San Antonio Spurs.

Pikërisht në sirenën e fraksionit të tretë të ndeshjes 21-vjeçari nga Massachusetts Darius Bazley shënoi nga afërsisht 9 metra, për t’i dhënë vendasve kryesimin e parë të takimit, me rezultatin 97-95. Në periodën përmbyllëse Lakers realizuan që në start koshin e barazimit, megjithatë ky ishte edhe kontakti i fundit ndërmjet dy ekipeve në Paycom Center. City Thunder udhëhoqën ndeshjen përpara 15.783 spektatorëve dhe nuk e lëshuan më avantazhin e krijuar, duke e mbajtur deri në fund. Për Russell Westbrook kjo ndeshje kishte një domethënie tepër të veçantë, pasi 11 sezonet e para në National Basketball Association 32-vjecari nga Long Beach i ka luajtur pikërisht në radhët e franchise-t nga Oklahoma. Kur mbetën vetëm 50” për t’u luajtur kampionët e sezonit 2019-20 e ngushtuan diferencën në thjeshtë një pikë, pas koshit të shënuar nga Malik Monk, gjithsesi vendasit u shkëputën përsëri, ndërsa dy tentativat në fund nga jashtë perimetrit për të barazuar nga Monk dhe 37-vjecari veteran njujorkez Carmelo Anthony rezultuan të pasuksesshme dhe madje përfunduan në “Air Ball”.

Dy ndeshjet e fundit ndërmjet këtyre dy skuadrave nëntë muaj më parë u fituan brenda në Staples Center nga Lakers pas kohës shtesë, ndërsa këtë radhë Oklahoma ia doli për të triumfuar me shifrat 123-115, duke siguruar në këtë mënyrë edhe fitoren e parë sezonale. Russell Westbrook regjistroi të parën triple–double në karrierë me fanellën e Lakers, që pas transferimit të tij verën e shkuar në radhët e franchise-t kalifornian. Westbrook humbi 10 topa gjatë këtij takimi, sidoqoftë 32-vjecari e përfundoi ndeshjen me 20 pikë, 14 topa të rikuperuar dhe 13 asist, ndërkohë Anthony Davis ishte realizuesi më i mirë, teksa e mbylli takimin me 30 pikë.

Te vendasit spikati kanadezi Shai Gilgeous–Alexander me 27 pikë, 9 kërcime e 5 asistime, gjithsesi pak orë më vonë të njëjtin fat si Lakers e pësuan edhe Los Angeles Clippers, të cilët pësuan gjithashtu humbjen e tretë sezonale. Finalistët e edicionit të kaluar në Konferencën e Perëndimit këtë herë u mundën në shtëpi, nga ekipi i Cleveland Cavaliers, megjithëse për hir të së vërtetës trajneri Tyronn Lue vazhdon të mos ketë në dispozicion për arsye të një dëmtimi në gju 30-vjecarin Kawhi Leonard. Në Staples Center përpara 13.276 të pranishmëve miqtë dominuan takimin dhe franchise nga Ohio udhëhoqi ndeshjen nga fillimi në fund. Cavs triumfuan me rezultatin 92-79 dhe lojtari më i mirë i ndeshjes ishte padyshim 22-vjecari nga Georgia Collin Sexton, që e mbylli mbrëmjen me 26 pikë e 7 kërcime.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here