Kur kanë mbetur edhe dy javë nga mbyllja e merkatos, Milan po provon të realizojë disa goditje me synimin për t’i dhuruar Vincenzo Montella-s një organikë që do të jetë në gjendje të luftojë për vendin e tretë. Një mesfushor dhe një sulmues krahu, këto janë objektivat e Adriano Galliani-t, i cili shpreson se me kalimin e ditëve vlerat e disa lojtarëve të kërkuar nga Milani të bien ndjeshëm.

Për sa i takon mesfushorit 31-vjeçari Jose Sosa është favorit ndaj 19-vjeçarit Rodrigo Bentancur, me të parin që e bind më shumë Montella-n për shkak të eksperiencës dhe aftësisë për t’u përshtatur më mirë me skemat e tij. Sipas lajmeve që vijnë nga Turqia, Milan e ka rritur ofertën deri në 7,5 milionë euro dhe, nëse Boca nuk do të kthejë një përgjigje për Bentancur, kuqezinjtë do të mbyllin operacionin për lojtarin e Besitkas.

Ndërkohë, për sa i takon sulmuesi të krahut, është kthyer në modë një objektiv i vjetër i “Djallit” kohët e fundit. Bëhet fjalë për 21-vjeçarin e Ajax Anwar El Ghazi, i cili i është ofruar kuqezinjve nga menaxheri i tij Jorge Mendes. Milan ka negociuar me Ajax janarin e kaluar për futbollistin, por në fund operacioni nuk është realizuar për shkak se ka dështuar transferimi i Luiz Adriano në Kinë. Autor i 11 golave në 27 ndeshje sezonin e kaluar, talenti me origjinë nga Maroku do të ishte një alternativë për Juan Cuadrado, i cili ka pak mundësi që të shkojë në Milano. “Djalli” ka kërkuar disa ditë kohë për të vlerësuar idenë El Ghazi.

Artikulli paraprakHistoria e pabesueshme e Raiola-s: 50 mln të ardhura, i bën vetës dhuratë 8 milionëshe
Artikulli tjetërTifozët e Arsenalit – Granit Xhakës: Thuaj “PO” Kosovës, bëje krenarë vetën dhe popullin tënd