Nga Anglia vijnë lajme të mira për Romën dhe trajnerin e saj Di Françesko. Në ndeshjen e kthimit me Liverpoolin, me shumë mundësi nuk do kenë përballë njërin nga protagonistët e ndeshjes së parë, që u luajt të martën në “Anfield”.
Sulmuesi Sadio Mane rrezikon seriozisht të mungojë në këtë ndeshje. Ai u është nënshtruar disa kontrolleve në një spital të Liverpoolit, ku ka hyrë duke çaluar. Lajmi është bërë i ditur nga britanikja “Daily Mail”.
Sulmuesi anësor i formacionit të trajnerit Klopp është në dyshim të fortë për ndeshjen e së shtunës me Stoken, por edhe për gjysmëfinalen e dytë të Championsit. Kjo ndeshje është në program për të mërkurën, në stadiumin “Olimpico”.