Presidenti i SC Gjilanit, Florim Zuka, ka deklaruar se klubi që ai menaxhon do të jetë pretendentë për titull në edicionin e ardhshëm.
Këto komente Zuka i bëri në një prononcim për portalin “Rajonipress”, derisa foli edhe futbollistët e rinjë, si dhe zgjedhjen e trajnerit të ri.
“Ishte një kampionat i gjatë me shumë batica e zbatica të ndryshme, ndoshta kemi merituar ndonjë vend më të mirë, por gjithçka ka marrë fund dhe ne kemi vizionin tonë të klubit”, është shprehur Zuka.
Presidenti i SC Gjilanit, Zuka, pas përfundimit të kampionatit 2017-2018, thotë se gjerë në fund të javës gjithçka do të qartësohet për të ardhmen e klubit.
“Deri në fund të javës gjithçka do të qartësohet, do të bisedojmë me disa futbollist që mbajnë bërthamën e klubit dhe me ata futbollist që kemi nevojë për kontrata të reja ne do t’ju ofrojmë kushtet tona, asnjë lojtar nuk e kemi në plan që me çdo kusht ta mbajmë në klub, por një e di se Gjilani do të ketë një “fytyrë” tjetër në kampionatin e ardhshëm”, thekson, presidenti Florim Zuka.
Zuka ka bërë me dije se Gjilani në edicionin e ardhshëm synon kreun e mundësisht edhe titullin e kampionit.
“Po ju them se do të jetë një Gjilan krejtësisht tjetër, synimi ynë është kreu i tabelës normalisht që do të synojmë titullin, se a mundemi ta realizojmë mbetet të shihet”.
Përpos disa futbollistëve cilësor që pritet ta veshin fanellën e Gjilanit, Zuka ka edhe një fshehtësi.
“Jemi në bisedim me disa trajnerë të njohur, jemi në kontakt të vazhdueshëm ndërsa gjithçka për pak ditë do të jetë publike”.