Më poshtë mund ta lexoni reagimin që ka bërë Nehat Osmani, pasi ky i fundit u dënua nga Komisioni Diciplinor pran FFK-së, pas ngjarjeve që ndodhën në përfundim të ndeshjes Drita-Trepça ’89.

REAGIM i Nehat OSMANIT – trainer në KF”Drita” pas vendimit të komisionit të garave për ndëshkimin e zyrtarëve të KF”Drita” për sjellje “josportive” ndaj referit Genc Nuza
E drejta për të gjykuar padrejtësinë nuk është edhe e drejtë për t’na ndëshkuar padrejtësisht, sikundër padrejtësia e gjykimit s’na mohon të drejtën për të qëndruar edhe vertikalisht edhe të vendosur.
E Drita është edhe e vendosur edhe qëndron vertikal drejt synimit të saj madhor – TITULLIT TË KAMPIONIT në 70 vjetorin e themelimit të saj.
Ka të tillë që po ngriten për t’na goditur, por NE do vazhdojmë të ecim,
Ka të tillë që po tentojnë t’na frikësojnë e “disciplinojnë” në mënyrë që t’na zbrapsin nga synimet tona dhe tifozëve tanë, por NE do sendërtojmë ëndrrën dhe realitet ta bëjmë.
Ka të tillë si Genc NUZA që do e vështirësojnë rrugën e Dritës, por s’ka askush që do t’na ndal në rrugëtimin tonë.
Këmbëngulësia e krerëve të Dritës në drejtësinë kundrejt padrejtësisë kronologjike, disa të tillë si KY i ka trembur, prandaj fajtorin e kërkojnë tek viktima dhe e kërkojnë tek paria e Dritës.
Prandaj ky farë NUZA u paska ndier i ofenduar, i fyer, madje edhe iu paska tensionuar karizma e tij amorfe nga reagimi im sportiv.
Mbrojtja e ngjyrave të klubit, traditës e renomesë së saj qenkan cilësuar si kërcënime për “ndërkombëtarin e llastuar”.
SI KA MUNDËSI UNË të kem ofenduar njeriun që luan me ndjenjat dhe emocionet e mijëra tifozëve që Dritën e kanë familje e Dritën e kanë jetë.
SI KA MUNDËSI të kem fyer njeriun i cili shfryen epshet e tija mbi djersën e lojtarëve dhe kafshatën e tyre.
SI KA MUNDËSI të kem banalizuar njeriun i cili nëpërkëmb mbi vullnetin, gadishmërinë dhe sakrificën e investitorëve për të hapur shtigjet e perspektivës për të rinjtë, për të mbajtur gjallë traditën e ndritur të një klubi të madh dhe për të frymëzuar një masë të gjërë qytetarësh me sukseset e klubit të zemrës.
JO, NUK KA MUNDËSI.
Nuk ka mundësi Genc NUZA t’jesh ndier i fyer nga një njeri i cili tërë jetën ia kushtoi dhe kontribuoi në zhvillimin e futbollit dhe sportit në përgjithësi, edhe atëherë kur sporti (para lufte) ishte njëra nga dy shtyllat kryesore të rezistencës kombëtare, edhe atëherë kur futbolli ishte shtytëse e emancipimit të të rinjëve, edhe tani kur futbolli dhe sporti janë shpresat dhe mundësitë e rralla të perspektivës së të rinjëve dhe avancimit e afirmimit të vlerave të përbashkëta shtetërore jashtë kufijëve tanë.
A e din pse, TI Genc Nuza dhe a e dinë ATA që të promovojmë e mbështesin ty?
Sepse fjalori im është tejet i varfër për të pasqyruar tendenciozitetin dhe provokimet tuaja të njëpasnjëshme mbrenda dhe jashtë fushës.
Sepse niveli im njerëzor e intelektual është tejet i lartë për të komunikuar në nivelin tënd tejet të ulët.
Sepse, …në krye të Dritës gjenden njerëzit që përmes sukseseve të Dritës nuk kërkojnë famën e tyre por përmes sakrifices së tyre kërkojnë famën ë Dritës
Sepse, në krye të Dritës gjenden njerëzit që kanë mbjellur SHPRESËN, ngase duke qenë e kaluara e saj, padyshim do dijnë ta ndërtojnë edhe të ardhmen e saj.
Të nderuar anëtarë të komisionit të garave, ju keni zgjedhur mënyrën e gabuar për të promovuar vlerat e mirëfillta të futbollit kosovar dhe ju keni hedhur hapat e gabuara për të nxitur investimet në futbollin kosovar.
NE në Dritë jemi të vendosur të kontribuojmë në ngritjen e cilësisë së futbollit në Kosovë dhe këtë jemi duke e bërë, NE në Dritë jemi të paluhatur në afirmimin e futbollit dhe futbollistëve tanë edhe në arenën ndërkombëtare dhe këtë do ta bëjmë.
“Intelektualët” dhe KF”Drita” gjithnjë kanë afirmuar futbollin kosovar dhe organet e saja të FFK-së. Do vazhdojmë edhe në të ardhmen. Prandaj JU nuk duhet të pengoni sukseset e saja. PËRKUNDRAZI!
Me nderime
Nehat OSMANI

Artikulli paraprakMan.City dhe Wolves në penallti për çerekfinalen e Carabao Cup
Artikulli tjetërJo vetëm huliganë, Skënderbeun në Beograd “e pret” dhe një tifoze sexy e Partizanit (FOTO)