Shqipëria ka nisur përgatitjet për sfidën e së martës ndaj Polonisë që për kuqezinjtë do të jetë si një finale në garën për vendin e dytë në grupin I kualifikues të eliminatoreve të Botërorit Katar 2022, pozicion që i çon kuqezinjtë për herë të parë në histori në fazën play-off. Rëndësia e kësaj sfide është shumë e madhe jo vetëm për dy përfaqësueset Shqipërinë dhe Poloninë por edhe për UEFA-n që ka zgjedhur për të vendosur drejtësi në këtë duel një prej arbitrave më të mirë në qarkullim për momentin. UEFA ka caktuar gjyqtar kryesor për sfidën e të martës në mbrëmje në Air Albania francezin Clement Turpin.

CV-ja e 39-vjeçarit nga Oullins flet vetë dhe nuk ka nevojë për shumë koment me Turpin që ka qenë pjesë e klasës së gjyqtarëve të zgjedhur nga UEFA për Euro 2020 teksa vendosi drejtësi në takimet e fazës së grupeve Uells-Zvicër dhe Rusi-Danimarkë ndërkohë që sëfundmi në rang kombëtaresh ka gjykuar sfidën kualifikuese të Katar 2022 Kroaci-Slloveni.

Turpin në kampionatin francez në këtë fillim sezoni ka vendosur drejtësi në shumë sfida me peshë përfshirë duelet e fundit PSG-Lyon 2-1 dhe Monaco-Bordeaux 3-0 si dhe në sfidën e grupeve të Championsit Atalanta-Villareal që përfundoi në barazim 2-2 takim në të cilin nxorri nga xhepi 5 kartonë të verdhë dhe një të kuq. Në sfidat e ekipeve përfaqësuese Turpin ka një mesatare prej 3 apo 4 kartonësh të verdhë për ndeshje ndërkohë që nga xhepi ka nxjerrë shpesh edhe kartonin e kuq. Asistentë të 39-vjeçarit në ndeshjen Shqipëri-Poloni do të jenë, Danos, Gringore dhe Bouqet ndërsa në VAR, Jeroma Brisard dhe  Amaury Delerue.

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here