Futbolli përmban në vetvete, mjaft histori interesante, larje hesapesh, bashkon breza të ndryshëm…, por, megjithatë, shorti i djeshëm për gjysmëfinalet e Ligës së Kampioneve, veç asaj që vuri përballë Juventusin dhe Monacon, solli edhe një përplasje të ardhshme shumë të veçantë mes Buffonit të madh dhe “fëmijës çudibërës”, Kilian Mbappe. Buffon ka më shumë se 20 vite në skenën e madhe të futbollit, aq vite sa nuk ka ylli i ri i Monacos që, me ndeshjet që ka zhvilluar, ka treguar se e ardhmja para tij është e shndritshme. Sesa i magjishëm mund të jetë futbolli, e tregon edhe informacioni se, kur ka lindur Mbappe, kapiteni aktual i Juves e kishte veshur bluzën e Parmës 108 herë, madje, në ekipin e parë të saj. Kiliani është lindur më 20.12.1998, ndërkohë që Buffoni ka debutuar më 1995, ndërsa, më 1996, zuri vendin e portierit kryesor në ekipin e Parmës. Buffon shumë mirë mund të kishte qenë babai i Kilianit, por ku ka qenë ky i fundit, kur Buffon nisi që të ndërtonte karrierën e tij? Me siguri, as që ka qenë në plan që të lindte!

Artikulli paraprakPortieri shënoi dy autogola!!! Edhe kjo ndodh (Video)
Artikulli tjetërE ka harruar golin e fundit ndaj Real Madridit!