Lajm i keq për Marash Kumbullën. Mbrojtësi i Kombëtares, nëpërmjet faqes së tij zyrtare në “Instagram” ka njoftuar se ka rezultuar pozitiv ndaj Koronavirusit.

Një goditje e  rëndë kjo edhe për Shqipërinë, pasi trajneri Edi Reja u shpreh se po bënin gjithçka për ta pasur gati me Kombëtaren, për dy ndeshjet e rëndësishme të muajit nëntor.

Kumbulla është shndërruar në një nga lojtarët më të rëndësishëm të Kombëtares. Me atë që tregoi në fushë me Veronën në edicionin debutues në Serinë A, fitoi vëmendjen e skuadrave të mëdha në të gjithë Europën. Me vazhdimësinë në fushë, po fiton spaletat e liderit edhe në skuadrën kuqezi.

Trajneri Reja e donte me cdo kusht te Kombëtarja, të paktën për Kazakistanin dhe Bjellorusinë me 15 dhe 18 nëntor, dhe FSHF po bënte të pamundurën që ta sillte në Shqipëri.

Marash Kumbulla vuri në lëvizje të gjithë strukturën drejtuese të FSHF-së, me në krye edhe vetë kreun e saj, Armand Duka. Kësisoj, mësohet se për të bindur autoritetet italiane dhe për të bërë të mundur mbërritjen e 20-vjeçarit për dy sfidat zyrtare, ishte vënë në dispozicion nga FSHF një çarter privat, që i mundëson Kumbullës fluturim të sigurt dhe nën kushte të larta sigurie edhe për kontaminimin me “COVID”. Për ta bërë të mundur këtë, FSHF-ja ishte e gatshme që të paguajë deri në 45 mijë euro, shifra e përafërt e nevojshme për një fluturim të tillë, vetëm që 20-vjeçari të ishte i gatshëm për 2 takimet “finale”.

Megjithatë tashmë që mbrojtësi ka rezultuar pozitiv ndaj Koronavirusit, e bën të pamundur praninë e tij te Kombëtarja kuqezi.

Postimi i Kumbullës:

Përshëndetje të gjithëve! Nga tamponi i fundit që bëra, kam rezultuar pozitiv ndaj Koronavirusit, por për fat jam mirë dhe nuk kam asnjë simptomë. Askush nuk mund të thotë se është plotësisht i sigurt nga ky virus, prandaj do doja të sensibilizoja për të gjithë, që të mbroheni dhe të mos rrezikoni shëndetin tuaj dhe të të tjerëve. Përshëndetje të gjithë tifozëve dhe të gjithë ata persona që po kalojnë një moment të vështirë. Do të shihemi së shpejti!

PËRGJIGJU

Please enter your comment!
Please enter your name here