Besa dhe Trepça ishin dy skuadrat protagoniste të sezonit që shkoi në futbollin kosovar, shkruan sot gazeta Zëri.

Ato u akuzuan për kurdisje të ndeshjes kampionale, të cilën e fituan mitrovicasit në Pejë pas një loje të dyshimtë, me ç’rast Federata e Futbollit të Kosovës e kishte çuar rastin deri në Prokurori, ndërkohë që ishin suspenduar me akuzën për kurdisje tre futbollistët pejanë: Arben Beqiri, Fatmir Rexha dhe Vigan Gutiq.

Ndërkohë, klubi pejan insistonte se është i pastër dhe se nuk kishte të bënte me kurdisje.

Mirëpo, kjo ndeshje duket se nuk ishte e vetmja që ishte kurdisur, në serinë e përballjeve të këtyre skuadrave në pranverë. Në fakt, një tifoz mitrovicas në kushte anonimiteti ka zbuluar fakte se edhe ndeshjet e Kupës së Kosovës ndërmjet pejanëve dhe mitrovicasve ishin kurdisur.

Sipas tij, kryesia e klubit mitrovicas i kishte urdhëruar futbollistët që ndeshjen e parë të Kupës me pejanët ta kryejnë baras, 2:2, ndërkohë që futbollistët kishin kërkuar llogari se kush do t’i merrte paratë e Kupës, nëse ajo do të kurdisej, por që nuk kishin marrë asnjë përgjigje.

Në bazë të marrëveshjes Besa do të shkonte në finale të Kupës, ndërkohë që Trepça do ta fitonte ndeshjen e kampionatit dhe kështu kishte ndodhur. Mitrovicasit kishin fituar 3:1 në kampionat midis Pejës, kurse Besa e kishte fituar ndeshjen e kthimit gjysmëfinale të Kupës, me rezultat të thellë 6:0.

Ky tifoz, i cili nuk deshi t’i bëhej publik emri, e ka akuzuar kryetarin e klubit mitrovicas, Avni Haxhiu, se kishte urdhëruar rregullimin e dy ndeshjeve të Kupës.

Ndërkohë, ky burim e ka zbuluar edhe një bisedë që e kishte me trajnerin Fidaim Haxhiu, i cili betohet se nuk ka gisht në këto kurdisje edhe pse e pranon se dikush nga kryesia e ka urdhëruar që lojën e parë me pejanët ta kryejë baras, 2:2, por që kishte kundërshtuar kategorikisht.

Tifozi mitrovicas mendon se Trepça me këtë rast ka përfituar materialisht nga Besa dhe nga bastoret sportive. Pas këtij rasti kryesia e klubit i kishte injoruar totalisht futbollistët, ndërsa trajneri i pafajshëm Fidaim Haxhiu ka qëndruar në krahun e tyre.

Batatina: FFK dhe Prokurori mos heshtni

Pasi e ka parë skandalin e radhës në futbollin kosovar ka reaguar trajneri i Llapit, Tahir Batatina, i cili ndihet i dëmtuar në këtë rast. Sipas tij, organet përgjegjëse nuk duhet të heshtin, por të veprojnë, pasi faktet tashmë i kanë përpara syve.

“Edhe pse kam dyshuar tek ndeshja për Kupë, Trepça – Besa 2:2, gjithmonë ia kam lënë kohës, Zotit dhe drejtësisë, por me të vërtetë çfarë pashë sot, nuk kam koment. Edhe pse u fol për kurdisje të ndeshjes, askush nuk mori asgjë, por pasi ndeshja për pikë, Besa – Trepça u krye 1:3, filluan zërat dhe vetë Federata e dërgoi lëndën në Prokurori dhe heshti, duke menduar se përfundoi çdo gjë”, ka shkruar Batatina.

“Tash po duken faktet se me të vërtetë qenka e vërtetë se paska ndodhur kurdisja dhe jam i shokuar si trajner që në momentet historike të futbollit, pas pranimit, të ndodhin fenomene të tilla”, ka shtuar ai. Batatina ndërkohë kërkon nga kryesia e klubit që në koordinim me avokatin e klubit ta bëjë kërkesën apo padinë për dëmtimin e skuadrës së Llapit. “Në garën ku ishim ne në finale paska pasur kurdisje, gjithmonë duke u bazuar në atë që e pashë në opinion. Tash FFK-ja, pasi t’i analizojë dhe t’i shohë videot dhe shkrimet, duhet të veprojë në bazë të etikës sportive dhe konform rregullores për mbarëvajtjen e garave, pasi faktet qenkan të forta dhe serioze. Nuk u dëmtua vetëm Llapi, por futbolli kosovar”, ka përfunduar trajneri llapjan. /Zëri/

Artikulli paraprakInteri përfiton 100 mln Euro nga shitjet e lojtarëve
Artikulli tjetërAndre Silva tregon pse zgjodhi AC Milan