Kualifikimi zyrtar në turin e tretë paraeliminator të Europa League do ta detyrojë Milanin të rishikojë të gjithë planin e programit veror. Kjo, sepse kuqezinjtë do të jenë të detyruar të nisin përgatitjet shumë më herët, ndërkohë që turneu veror në Kinë do të jetë i reduktuar.

Megjithatë, pas 3 vitesh mungesë, për tifozët do të jetë një sezon gjatë të cilit do të mund të gëzojnë kryesisht për përballjen e kundërshtarëve të rinj europianë.

Me shumë mundësi, Montella do t’i mbledhë lojtarët duke nisur nga datat 3 apo 4 korrik, që do të thotë rreth 23-24 ditë përpara se të luhet sfida e parë e turit të tretë paraeliminator të kompeticionit të dytë për nga rëndësia në Europë, pas Champions League.

Por njëkohësisht edhe dy javë përpara miqësores së parë të parashikuar në kuadër të “International Champions Cup”.

E pavarësisht vendit të gjashtë në Serie A dhe biletës për në Europa League, Milan duket se nuk ka dashur të heqë dorë nga turneu kinez. Plani është që më 18 korrik të zhvillojë një takim miqësor në Guangzhou ndaj Borussia Dortmund, ndërsa më 22 korrik në Shenzhen, kundër Bayern Munchen të drejtuar nga ish-trajneri i kuqezinjve, Carlo Ancelotti. Por reduktimi ka prekur pikërisht atë që konsiderohet si “derbi” kinez, kundër Interit, që duhej të zhvillohej më 24 korrik në Nanchino. Kjo për shkak se miqësorja koinçidon me vetëm 3 ditë përpara ndeshjes së parë europiane në Europa League.

Më 14 korrik, Montella dhe Milan do të njohin kundërshtarin, me të cilin do të përballen më 27 korrik dhe 3 gusht, pas shortit të 58 skuadrave. 25 prej tyre, përfshi Milanin, do të hyjnë drejtpërdrejt në këtë tur paraeliminator, ndërsa 33 të tjera do të vijnë pas dy tureve të parë paraeliminatorë.

Edhe pse është e vështirë të bëhen parashikime, pasi do të ketë kundërshtarë nga Malta e deri në Lituani, nga Islanda e deri në Azerbajxhan, ajo që dihet me siguri është se kuqezinjtë do të evitojnë një përballje me Maccabi Tel Aviv apo Hajdukun e Splitit (nëse kualifikohen), sikurse edhe Zenitin, Lionin, Sparta Pragën, Bragën, PAOK-un e Selanikut, Krasnodarin, Marsejën, Dinamon e Zagrebit, Hertën e Berlinit apo Maritimon. Që të gjitha këto skuadra do të jenë koka grupi në shortin e turit të tretë paraeliminator, sikurse edhe Milan. Por shorti mund ta vendosë Milanin e Montellës përballë Glasgoë Rangers, ekipin skocez që rikthehet në Europë pasi shpallin falimentin në vitin 2012.

E pas dy sfidave të para, Milanit do t’i duhet sërish të kalojë fazën e “play off”-eve të gushtit, për të siguruar një biletë në fazën e grupeve të Europa League. Shorti për fazën e mëtejshme do të hidhet më 4 gusht, ndërsa dy sfidat do të luhen më 17 dhe 24 gusht. Në këtë fazë, veç 29 të kualifikuarave të turit të tretë paraeliminator, do të marrin pjesë edhe 15 skuadrat e eliminuara nga turi i tretë paraeliminator i Champions League.

Edhe pse kampionati aktual do edhe 90 minuta nga fundi i tij, në shtëpinë kuqezi duket se është rikthyer të ndihet emocioni europian.

Artikulli paraprakShkarkohet me plot meritë
Artikulli tjetërKapiteni legjendar i Trepçës ’89 rrëfehet ekskluzivisht për “Korneri.net”: Në fillim kishim synim katërshen e madhe, por më pas u rritën apetitet…