Për të qenë trajner i Real Madrid-it nuk mjafton të jesh një gjeni i futbollit. Duhet më shumë. Sa? Epo, duhet të kesh karrierën e francezit Zinedine Zidane, i cili në vetëm një vit në stolin e madrilenëve ka fituar thuajse gjithçka. Ky është mendimi i njeriut i cili fitoi “La Decima“-n, Carlo Ancelotti. Duke e përshkruar aventurën e tij në “Santiago Bernabeu” si një punë unike, trajneri aktual i Bayern-it në një intervistë me “ESPN”-në shpjegoi pse Zidane është më i avantazhuar se paraardhësi i tij, Rafa Benitez.

“Jo çdokush mund të drejtojë Real Madrid-in. Çelësi për sukses, mendoj, është marrëdhënia me lojtarët. Njohuritë për futbollin janë në plan të dytë për nga rëndësia, ashtu si përvoja”, – u shpreh 57-vjeçari. “Duhet të kesh karizmë, duhet të fitosh respekt dhe të kesh personalitet. Zidane i ka të gjitha këto dhe i ka provuar edhe si lojtar, edhe kur ishte asistenti im. Ai ka luajtur për një kohë të gjatë, ka punuar si asistent, ka stërvitur të rinjtë, e njeh lojën, aspektet taktike dhe njeh klubin“, – shtoi më tej italiani.

Benitez nuk fitoi dashurinë e tifozëve madrilenë, pasi nuk i kishte këto tipare. “Një si Rafa me shumë mundësi ka më shumë përvojë dhe njohuri, por ndoshta nuk ishte në gjendje, në atë pak kohë që ishte atje, për të ndërtuar ato lloj marrëdhëniesh të nevojshme”, – argumentoi Ancelotti. “Zidane, në këtë aspekt, ka një avantazh“, – përfundoi ai. Me Zizunë në stol, Real Madrid qëndroi i pamposhtur në 40 ndeshje radhazi, kështu që tekniku ka besimin e të gjithëve në kryeqytetin spanjoll.

Artikulli paraprakPablo Aimar, dashuria e fshehtë e Leo Messit
Artikulli tjetërStrakosha merr lajme të mira nga Lazio