Tabloidi zviceran “Blick” ka filluar dje një luftë të mirëfilltë ndaj Granit Xhakës, duke sulmuar ashpërsisht mesfushorin sepse kishte deklaruar që do të kishte dashur të luante për Kosovën por e kishte të pamundur. Pas kësaj ngjarjeje, Granit Xhaka nuk ka ngurruar që të kërkonte largimin nga konferenca e djeshme për shtyp të gazetarit që përfaqësonte këtë tabloid, duke e akuzuar atë dhe gazetën në fjalë se po krijonin polemika të paqena. “Janë thënë gjëra që nuk përputhen me realitetin. Më vjen keq që kjo temë kthehet në aktualitet. Kam shkruar atë letër dhe nëse e lexon ndokush që e flet në mënyrë perfekte gjuhën shqipe, do të kuptojë që praktikisht kam shkruar vetëm gjëra pozitive për Zvicrën”, ishin fjalët e Xhakës para gazetarëve, raporton Panorama Sport.

“E kisha thënë që do të qëndroja me Zvicrën dhe kjo nuk do të ndryshojë. Desha t’i shpjegoja arsyen njerëzve që janë në Kosovë dhe të shohësh që dalin gjëra të cilat nuk përshtaten me të vërtetën të dhemb dyfish. Nuk e kuptoj se cili është problemi i disa njerëzve të caktuar, përse më sulmojnë. E rëndësishme është ajo që ndodh në fushë dhe për atë jam gati. Ata që më mbështetin do ta kuptojnë, ndërsa për ata që kanë vendosur të besojnë te gjërat që janë thënë, nuk kam çfarë të bëj”, deklaroi Xhaka për “SRF”.

Artikulli paraprakSot testi me Marokun, Gjimshiti e Hyka risitë e formacionit
Artikulli tjetërFinlanda frikësohet: Ka shumë probleme para përballjes me Kosovën