Ecuria e mbarë në sezonin vjeshtor në Superligën e futbollit ka bërë që i gjithë Llapi të mobilizohet në kërkim të titullit të kampionit dhe Kupës së Kosovës për t’u kualifikuar në gara evropiane.

Në stinorin pranveror llapjanët do të startojnë nga pozita e dytë me tri pikë më pak sesa lideria, Trepça ’89, shkruan sot gazeta Zëri.

Përpos tyre, titullin do ta kërkojnë me ngulm edhe Prishtina e Feronikeli, por trajneri i Llapit, Tahir Batatina, është i bindur se skuadra e tij mund të triumfojë.

“Jemi të kënaqur me bilancin e sezonit pranveror edhe pse realisht kemi mundur të përfundojmë akoma më mirë. Por, besoj se në pranverë Llapi do të jetë edhe më i fortë, besoj shumë se do të luftojmë me sukses drejt titullit dhe Kupës në mënyrë që ta përfaqësojmë trevën tonë dhe gjithë Kosovën në gara evropiane”, u shpreh ai.

“Ne ende jemi duke i mbajtur nga tri seanca stërvitore. Prej 20 dhjetorit deri më 5 janar do të pushojmë. Më 5 janar do t’u kthehemi stërvitjeve intensive. Kemi nisur me përforcime dhe duam që procesin e përforcimeve ta kryejmë para 5 janarit, në mënyrë që të bashkuar ta nisim rrugëtimin drejt titullit”, tha ai.

Bizneset ndihmojnë Llapin

Llapjanët kanë mbetur të impresionuar me përfaqësimin që ua bëri Llapi gjatë vjeshtës në sezonin vjeshtor, ndërsa apetitet tani u janë shtuar dhe të gjithë po e duan titullin e kampionit.

“Llapjanët i kanë parë rezultatet e mira, organizimin e shkëlqyeshëm dhe sinqeritetin tonë, andaj të gjithë po na duan dhe po na përkrahin në forma të ndryshme”, thotë trajneri Batatina.

“Sigurisht se titulli kushton shtrenjtë. Ne qëndrojmë mirë me financa, kurse edhe biznesmenët llapjanë kanë filluar të na bashkohen. Aktualisht jemi dy donatorë, por i kemi vënë në dispozicion edhe 30 reklama në stadium. Prej tyre planifikojmë t’i marrim 30 mijë euro në muaj, çka do të ishte një ndihmë e madhe. Bizneset kanë filluar t’i sjellin reklamat e tyre, për çka u jemi mirënjohës”, u shpreh ai për Zërin.

Llapi thërret Hysin

Kohëve të fundit flitet se Llapit mund t’i bashkohet një biznesmen i njohur. Fjala është për Hysen Sadikun, ish-pronarin e Hysit që u pati shuar para pak vitesh.

“Hysi është një djalë i zoti, i cili ka dhënë shumë për futbollin llapjan dhe Llapin në përgjithësi. Ai edhe më moti ka qenë mbështetës i Llapit dhe një djalë si ai është i mirëseardhur dhe i mirëpritur në mesin tonë”, tha trajneri dhe donatori i Llapit, Tahir Batatina.

Rroga mesatare, 500 euro

Trajneri Tahir Batatina, që është edhe donator i Llapit, ka treguar për “Zërin” se rroga mesatare për kokë futbollisti në skuadrën e tij është 500 euro në muaj. Ndërkohë, për çdo fitore lojtarët marrin premi nga 00 deri në 200 euro, varësisht prej fuqisë së kundërshtarit. Llapi është bërë “parajsë” për futbollistë. /Zëri/

Artikulli paraprakZyrtare: Lewandowski vazhdoi kontratën
Artikulli tjetërOblak e lë keq Simeonen e skuadrën!