Në pamundësi për të luajtur ndeshjet në Kosovë, pasi stadiumet nuk plotësojnë kriteret e pranimit, Kosova do të luajë ndeshjet si pritëse në “Loro Boriçi”, impianti i rikonstruktuar së fundmi në Shqipëri dhe që është më i madhi përsa i përket kapacitetit.
Ai ofron 16 mijë ndenjëse, çka është numër i mjaftueshëm për ata që kërkojnë të ndjekin një takim ndërkombëtar. Takimi i parë i Kosovës si pritëse do të luhet më 6 tetor kundër Kroacisë, ndaj kanë nisur përgatitjet për këtë ndeshje. Së pari zbulohen shifrat sesa do të kushtojë një biletë, të cilat kanë çmime mesatare.
Çmimi më i lirë për tifozët do të jetë 10 euro, bëhet fjalë për tribunat pas portave. Sa i përket atyre në tribunën përballë, ato do të jenë 20 euro dhe pjesa VIP do të kushtojë 55 euro. Këto çmime nuk janë zyrtare, por ato do të jenë afërsisht me ato të kombëtares kuqezi, pasi këtë e bëri të ditur Eroll Salihu, zyrtari i FFK-së.