Analizë nga Lirim Peci

Kosova mbrëm luajti ndeshjen e saj të radhës në kualifikimet për borërorin “Rusia 2018” kundër Islandës, ndeshje të cilën e humbi me rezultat 1:2 dhe të golat e musafirëve erdhën pas gabimeve në mbrojtje.

Në fakt, që në publikim e formacioneve zyrtare, u panë të meta në ekipin e trajnerit Albert Bunjaki, i cili asesi nuk është duke arritur ta gjejë formulën e duhur për tu përballur me kundërshtarët në këtë cikël kualifikimesh.

Lënja në bankë e Barnard Berishës dhe e Arbër Zenelit ishte një surprizë për të gjithë, pasi që të dy kishin krijuar një stabilitet në formacionin e Kosovës nga ndeshjet e kaluara.

Në sulm, Besart Berisha dhe Atdhe Nuhiu sillnin vazhdimisht kokëçarje në radhët e kombëtares islandeze, por dy sulmuesit e rrezikshëm nuk u furnizuan ashtu siç duhet me topa nga krahët, nga Rashica (që ishte më dobëti në fushë), por as nga Valon Berisha.

Në fakt, futbolli modern veçohet tashmë për përfshirjen e mbrojtësve anësor në fazën ofanzive, duke harkuar vazhdimisht për sulmuesit, por një gjë të tillë nuk e bënë mbrëm, Përdedaj dhe Kololli, të cilët nuk kryen ashtu siç duhet detyrat në defanzivë.

Nga ana tjetër mesfusha ishte një pikë e fortë mbrëm te Kosova, pasi Kryeziu, Shala dhe V. Berisha, ishin në nivel duke arritur që të dominonin lojën dhe të shkatërronin aksionet e kundërshtarit.

Nota kaluese për paraqitjen e mbrëmshme mund të marrin dy qendërmbrojtësit, Rrahmani dhe Pnishi, të cilët nuk u ndihmuan siç duhet nga dy mbrojtësit anësor, Përdedaj dhe Kololli, por në nivel të detyrës nuk ishte as Samir Ujkani, i cili në mënyrë të gabuar degazhonte topa përpara, ku zgjidhja e tij për rinisur lojën ishte tërsisht e gabuar edhe pse bashkëlojtarët e mesfushës dhe sulmit kërkonin që ai me dorë të pasonte për kolegët e tij të mbrojtjes.

Krejt në fund, notë kaluese nuk merrë as përzgjedhësi Albert Bunjaki, i cili është duke u treguar i paaftë për të ndryshuar herë pas herë skemën dhe rrotacionin e lojës brenda zhvillimit të saj, si dhe për të zbuluar futbollistë të shumtë kosovar që luajnë në kampionatet evropiane, sidomos në pozitat që i përmendëm me lartë.

Artikulli paraprakGenc Nuza kryen me sukses seminarin dhe testet fizike! Gjithçka gati për debutimin në arenën ndërkombëtare
Artikulli tjetërKosova U-21 pëson humbje minimale nga Irlanda