Futbollistët e Kombëtares U17 të Kosovës në ndeshjen për vendin e tretë në kuadër të turneut “2017 Mercedes Benz Agean Cup U-16” në Izmir, pësuan humbje nga Rusia, me rezultat 0:1. Duket se djelmoshave tanë ua ktheu fati shpinën, pasi e mbizotëruan lojën dhe krijuan disa raste shënimi, por në fund nga një rast i vetëm përfitoi Rusia dhe shënoi fitore me rezultat minimal.

Duket se edhe orari i ngjeshur i ndeshjeve e ka bërë të veten, por edhe vendi i katërt në këtë turne të madh për një Kombëtare të re pa përvojë siç është Kosova nuk është aspak për t’u nënçmuar, madje duhet përgëzuar djemtë për karakterin e tyre fitues e luftarak.

Pas ndeshjes përzgjedhësi Besnik Kollari u shpreh: “Kur e humb ndeshjen njeriu nuk mund të jetë i kënaqur. Aq më parë që futbollistët tanë patën më shumë nga loja dhe mbizotëruan. Rusët një rast të vetëm e patën dhe atë e shndërruan në gol të fitores. Ishte një orar shumë i ngjeshur, katër ndeshje dhe dy stërvitje për vetëm pesë ditë është bukur e mundimshme. Si do qoftë në përgjithësi jam i kënaqur me angazhimin dhe paraqitjen e futbollistëve tanë. Këta djem kanë nevojë për më shumë punë sidomos nëpër klube dhe u nevojiten sa më shumë ndeshje për të fituar përvojë. Unë besoj që këta futbollistë do të përparojnë dhe kanë ardhmëri”.

Kosova – Rusia 0:1
Stadiumi: Altinordu Metin Oktaz Tesisleri
Shikues: Disa dhjetëra
Gjyqtarë: A. A. Morca, M. Kuru, S.Efe e Sh. Arsalan.
Shënues: Grigory (48) për Rusinë
Kosova: Bulliqi, Azemi, Lokaj (Halijaha), Salihu, Janjveva, Bilalli, Marmullaku, Krasniqi, Dushi, Tusha (Ibrahimi) e Kiçmari (M. Avdyli).
Rusia: Alexev (Mukhin), Pilipenko, Khotulev, Shmakov, Korshunov, Pavlyuk (Savaliev), Borisenko, Kratkov; Kokiev (Tyekavin) e Novikov (Kiryanin)

Artikulli paraprakKosova pas shumë telasheve mbërrin në Debrecen
Artikulli tjetërDraxler në Premier League? Ja skuadrat e interesuara për të….